Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK insiston: VV t’i kërkojë falje Isa Mustafës

Mundësia që LAA-ja dhe Vetëvendosje të krijojnë një bashkëpunim për të bërë shumicën parlamentare, sa vazhdon e zbehet.

LDK-ja vazhdon të insistojë se Vetëvendosje duhet të kërkojë falje për veprimet e veta, veçanërisht ato në legjislaturën e kaluar dhe sulmet ndaj Isa Mustafës.

Në Interaktiv, deputeti Driton Selmanaj, ka thënë se Vetëvendosje duhet të sqarojë nëse e sheh kryetarin e LDK-së si kriminel apo jo.

Ai ka shtuar se LDK-ja nuk ka qëndrim kundër VV-së, por ka folur vetëm ato që kanë qenë të dukshme.

Driton Selmanaj, Deputet i LDK-së tha: “E kanë sulmuar shtëpinë e tij, veturën e tij, është sulmuar ai direkt, me gjësende të ndryshme që kanë mundur të rrezikojnë jetën e tij. E, nëse VV-ja mendon se Isa Mustafa është kriminel, atëherë nuk e di si mund të bashkëpunojmë. Por, nëse e kanë pasur për propagandë, le të tregojnë dhe ta kuptojë popullata se si ka qenë qasja e tyre ndaj LDK-së.”

Ndërkaq, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë dashur të flasin sot për këtë çështje, me arsyetimin se këtë do ta bëjnë në ditët në vazhdim.

Edhe Thirrjet e LDK-së, Vetëvendosje po i sheh si një hap për të justifikuar mosbashkëpunimin Arbëri Thirrjet e LDK-së, Vetëvendosje po i sheh si një hap për të justifikuar mosbashkëpunimin

Por, analisti Imer Mushkolaj, thotë se në këtë fazë, bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy partive, është i pamundur.

Sipas tij, veprimet e Vetëvendosjes në të kaluarën nuk janë çështje morale se a duhet tani të kërkohet falje, por i takojnë drejtësisë për të parë nëse duhet të ketë ndjekje penale për ato veprime.

Behxhet Pacolli i AKR-së, ka thënë javën e kaluar se nëse partneri i tij i koalicionit, LDK-ja, nuk arrin të merret vesh me Vetëvendosjen për koalicion brenda 10 ditësh, atëherë ai do ta shqyrtojë mundësinë që të votojë për qeverisjen e PAN-it.