Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, vlerëson se Serbia po i përdor taksat tregtare të vendosura nga Prishtina si një pretekst artificial për të ndaluar bisedimet me Kosovën.
Ambasadori Lauka thotë se një ndërmjetës shumë më i frytshëm në bisedimet Kosovë - Serbi se sa BE-ja do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të ndikimit të madh, që kanë në rajon.
Ai sapo ka botuar edhe një libër mbi bisedimet Kosovë - Serbi. Ambasadori Lauka analizon tezën e korrigjimit të kufijve dhe polemikat mes politikanëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për marrëdhëniet me Serbinë.
Zëri i Amerikës: Zoti Lauka! Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë vazhdojnë të mbeten të bllokuar, pavarësisht thirrjeve që një gjë e tillë të rifillojë. Sipas jush, çfarë ndikimi ka kjo për Kosovën?
Islam Lauka: Unë mendoj se bllokimi i bisedimeve nuk është rastësor. Ato janë bllokuar se pse të dy palët, edhe Kosova edhe Serbia, nuk janë të gatshme dhe ajo që është më ë rëndësishme, për fat të keq, edhe ndërmjetësuesi, Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm. Tani në vendet e BE-së u kryen edhe këto zgjedhjet e fundit parlamentare. Kemi të bëjmë me një situatë të re, që lidhet me konfigurimin e organeve të BE-së edhe me probleme të tjera si identiteti i BE-së, perspektiva e BE-së, shkalla e integrimit, intensiteti, dinamika etj. Në gjykimin tim, na vjen mirë apo jo, BE-ja do të kalojë edhe disa kohë dhe nuk do të jetë e gatshme për t’u investuar, siç do të dëshironim ne, në problemet e Ballkanit. BE do të merret disa muaj, ndoshta edhe vite me vetveten e saj.
Zëri i Amerikës: Vendosja e tarifave nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe, shtyri palën serbe të pezulloj bisedimet në Bruksel. Që nga ajo kohë marrëdhëniet kanë shkuar duke u përkeqësuar ndërmjet dy vendeve. Çfarë duhet të bëj Kosova për çështjen e tarifave?
Islam Lauka: Pala serbe i ka përdorur taksat si një pretekst artificial për të ndalur bisedimet. Shkaku i vërtetë është që Serbia, e sidomos Serbia, nuk është e gatshme për bisedime serioze me Kosovën. Ajo e shfrytëzon për këtë vendosjen e tarifave 100%. Në gjykimin tim, ajo është një masë e drejtë, dhe si erdhën punët, ishte e vetmja. Përveç agresivitetit ndaj Kosovës për mosanëtarësim në organizatat ndërkombëtare, lobim për mosnjohje të reja të shtetit të saj, Serbia po i diskriminon mallrat e Kosovës, sepse ato nuk munden ta kalojnë kufirin drejt Serbisë pa diskriminim atje, me dokumente të Republikës së Kosovës. Atëherë Kosova çfarë do të heshtte? Nga ana e Kosovës tarifa ishte një masë reaguese. Për mua, këtu ka një lojë pak të pistë që po e luajnë disa, sidomos zoti Rama e ka luajtur kohët e fundit: kërkohet heqja ose pezullimi i tarifës. Unë gjykoj, se edhe heqja edhe pezullimi janë e njëjta gjë. Rama thotë se nuk i kërkova zotit Haradinaj ta heqë, por ta pezullojë atë. Por njëlloj është. Pezullimi plotëson një kërkesë që është e padrejtë nga Serbia, e cila thotë: Hiqni tarifat, që unë të vij në bisedime. Pse të vihet ky kusht?! Po të jetë ashtu, Kosova ka 100 arsye të tjera për të vendosur kushte. Nëse je i gatshëm për bisedime, urdhëro e afrohu pa kushte.