Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është deklaruar rreth punës së tij sa ishte në krye të këtij dikasteri.
Punën për të cilën u kthye nga SHBA-ja, Latifi e ka quajtur përgjegjësinë më të madhe ndërkohë që ka theksuar se “të jesh Ministër i Shëndetësisë, i çdo vendi, është nderi dhe privilegji më i madh, por të jesh Ministër i Shëndetësisë i shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, ku jam rritur, jam shkolluar dhe pastaj jam larguar në SHBA për një jetë më të mirë, është krejt diçka tjetër”.
Gjatë prezantimit në Universitetin e Cyrihut, Latifi e ka përshkruar një sistem shëndetësor në rrëmujë dhe korrupsionin në sistemin e kujdesit shëndetësor.
“Si përgatitet dikush për të qenë Ministër i Shëndetësisë? Çfarë mjetesh keni në dispozicion dhe për çfarë të tjera keni nevojë që do t'ju ndihmojnë të transformoni një sistem shëndetësor, i cili është në rrëmujë? Epo, keni investuar shumë dekada të jetës suaj për të bërë gati, keni krijuar një vizion dhe mision të qartë. Pra, tani gjithçka që ju duhet janë financat dhe angazhimi i të gjithëve, gjersa ju nevojitet edhe shumë përkrahje në luftën kundër korrupsionit të ngulitur në çdo shtresë të sistemit të kujdesit shëndetësor”, tha ai.
Latifi ka thënë se sa ishte ministër ka krijuar një model të transformimit të shëndetësisë në Kosovë përmes diplomacisë mjekësore, sipas tij, për ta zbutur pabarazinë shëndetësore.
“Kësisoj, ne projektuam një proces për krijimin e 12 qendrave klinike të ekselencës (CCE), 22 sub-specializimeve klinike të avancuara (ACF) që do të trajnojnë (gjatë viteve 2022-2024) rreth 100 mjekë dhe kirurgë në qendrat ndërkombëtare të ekselencës, shumica e të cilave ishin siguruar përmes diplomacisë mjekësore. Njëkohësisht, diplomacia mjekësore po përdorej për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës spitalore dhe infrastrukturës së pajisjeve mjekësore”, tha ai.
Teksa, ka deklaruar se shpresonte se ishte i gatshëm të bëhej ministër i Shëndetësisë.
“Një pyetje e madhe qëndronte ende mbi mua. Pse do të përfshihesha në politikë? A nuk më kanë mjaftuar tashmë politikat e akademisë dhe spitaleve në SHBA. Tani Ballkani. Kosova. A do të isha në gjendje të bëja një ndryshim? A duhet të përfshihem si kirurg në politikën e vendit më të ri në Evropë? Pyetja edhe më e madhe: Kush dhe pse do ta bënte këtë në ndonjë mënyrë?!”, theksoi Latifi.