Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi nuk ka vendosur ende nëse do ta udhëheqë pushtetin vetëm me partinë e tij, apo do të futet në koalicion me ndonjërën nga partitë opozitare në këtë komunë.
Ai të shtunën i ka thënë KOHËS se tash për tash nuk ka ndonjë vendim se si do të veprojë në organizimin dhe drejtimin e pushtetit lokal pas fitores bindëse që ka shënuar si kandidat për kryetar, në përballje me Visar Korenicën e Vetëvendosjes, ku sipas rezultatit të certifikuar sot nga KQZ, Latifi ka fituar 65.19 përqind të votave, ndërsa Korenica i LVV-së, 38.70 përqind.
"Ende nuk kemi ndonjë vendim, po bëjmë analiza, se si të veprohet në mënyrën më të mirë, në interes të qytetarëve të Rahovecit", ka thënë Latifi.
AAK, partia së cilës i përket Latifi i ka fituar 12 ulëse në Kuvendin Komunal të Rahovecit, dhe kjo nuk i mjafton për të patur shumicën e thjeshtë në kuvendin me 31 ulëse.
Së këndejmi për të qenë komod në zbatimin e programit dhe objektivave, kryetarit Latifii i duhet një koalicion paszgjedhor me ndonjërën nga partitë të cilat e kanë humbur garën.
Edhe
Latifi kërkon mbështetjen e elektoratit të PDK-së dhe LDK-së në Rahovec
Sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 7 anëtarë në Kuvendin Komunal të Rahovecit, ndërkaq PDK dhe LDK nga 6 anëtarë.
Burim Krasniqi, ish kandidati i LDK-së për kryetar të Rahovecit, i ka thënë KOHËS më heret se ai dhe partia e tij do të qëndrojnë në opozitë. Kështu Latifit i mbeten në dispozicion LVV-ja dhe PDK-ja. Bazuar në raportet e acaruara AAK-LVV, PDK-ja mbetet partia potenciale e AAK-së për një koalicion eventual paszgjedhor në Rahovec.