Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajçak: Kurti dhe Vuçiqi do të takohen kur të pajtohen për diçka

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se për takimin e tretë midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë, duhet atmosferë konstruktive dhe paqësore.

Ai, në një intervistë për REL-in, tha se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka ngecur, por “po zhvillohet kryesisht në nivelin e kryenegociatorëve”. Sipas tij, takimet e kryenegociatorëve po bëhen për të përgatitur takimin e tretë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, sipas Lajçakut, një takim Kurti-Vuçiq mund të ndodhë vetëm kur dy liderët mund të pajtohen për diçka.

Lajçak tha se dialogu është platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia trajtohen si të barabarta.

Në këtë intervistë foli edhe për refuzimin e propozimit të Quint-it nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, por edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Tha se refuzimi i autoriteteve vendore për mundësimin e serbëve të Kosovës që të votojnë për zgjedhjet e Serbisë, brenda territorit të Kosovës, nuk e ngrinë dialogun.

“Jo, nuk po e vendos procesin në akull - të paktën kështu shpresoj. Por, sigurisht, ne kemi qenë të përfshirë në përpjekjet për të lehtësuar një marrëveshje për zgjedhjet, sepse çfarëdo vendimi që do të merrej, do të kishte ndikim në situatën në terren. Për mua, si ndërmjetësues [i dialogut], është jashtëzakonisht e rëndësishme që atmosfera të mbetet konstruktive, në mënyrë që ne t’i vazhdojmë takimet tona dhe të kemi dy palë të gatshme për të rënë dakord për gjërat”, ka thënë ai.

Edhe BE-ja shpreson që Kurti e Vuçiq të hyjnë në takim me guxim politik Arbëri BE-ja shpreson që Kurti e Vuçiq të hyjnë në takim me guxim politik

Lajçak ka zbuluar se çfarë përmbante propozimi për votimin e serbëve.

“Po, propozimi ka sugjeruar që kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, përkatësisht oficerët ndërlidhës, të përdoren për të përcjellë kërkesën e Serbisë [për zgjedhjet] tek autoritetet e Kosovës. Por, kjo nuk është parë si një gjë e kënaqshme ose e mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar komunikim të drejtpërdrejtë midis qeverive. Por, siç e thashë, ka ndjeshmëri te të dyja palët”.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, "nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut"

Lajçaku ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut.

“Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut, por ekziston një aranzhim që është propozuar nga Quint-i dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ky aranzhim e ka bërë të mundur mbajtjen e pesë palë zgjedhjeve serbe në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit. Prandaj, e kemi respektuar ekzistencën e një modeli ekzistues, dhe kemi ofruar një gjë nga dialogu, që është kanali [apo] oficerët ndërlidhës, sepse ata kanë dalë nga dialogu”.

Dialogu "nuk ka ngecur"

Lajçaku shprehet bindur se dialogu nuk ka ngecur.

“Para së gjithash, procesi nuk ka ngecur, por po zhvillohet kryesisht në nivelin e kryenegociatorëve. Po diskutojmë çështje praktike, me synimin kryesor për të përgatitur takimin e tretë të dy liderëve. Por, për këtë, na duhet atmosferë konstruktive, na duhet atmosferë paqësore. Për fat të keq, kemi pasur krizën e targave [të automjeteve], kemi pasur situata që nuk janë të favorshme për këtë atmosferë”.

Pas zgjedhjeve serbe, "mundësi unike për t'u përqendruar në dialog"

Miroslav Lajçak ka thënë se dialogu nuk po ecë me shpejtësinë e duhur.

“Po, ky është realiteti, sepse nuk ka qenë e mundur të takohen, për shkak të parakushteve që dy palët kanë vënë për një takim të tillë. Nuk është stili im të them se nuk mund të bëjmë asgjë. Ne i kemi pasur dy ekipet këtu në ndërtesë dhe kemi biseduar ndarazi me to. Është larg ideales, është shumë më pak efikase, kërkon më shumë kohë, por na ka ndihmuar të lëvizim përpara. Pra, procesi po zhvillohet, ne po ecim, po ecim në drejtimin e duhur, por jo me shpejtësinë e duhur. Kjo duhet të ndryshojë, nëse duam të kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk kemi kohë për të vazhduar me këtë shpejtësi që kishim vitin e kaluar”.

Me përfundimin e zgjedhjeve, ai thotë se është mundësia që palët të përqendrohen në dialog.

Edhe Pritshmëri të vogla në Kosovë nga takimi Kurti-Vuçiq LAJMET E MBRËMJES Pritshmëri të vogla në Kosovë nga takimi Kurti-Vuçiq

“Pas zgjedhjeve serbe [më 3 prill], hyjmë në një periudhë unike, kur nuk do të ketë zgjedhje të planifikuara as në Serbi, e as në Kosovë, dhe as zgjedhje të mëdha në Bashkimin Evropian apo në Shtetet e Bashkuara. Kjo nënkupton se pjesa tjetër e vitit 2022 dhe gjithë viti 2023 është një mundësi unike për t’u përqendruar në dialog. Nuk mund të shpërqendrohemi nga kalendari politik dhe ne duhet të arrijmë diçka, sepse nëse nuk arrijmë, në vitin 2024 hyjmë në një situatë krejtësisht të re - me zgjedhjet evropiane dhe në SHBA - dhe dialogu nuk do të jetë në qendër të vëmendjes”.

Lajçak thotë se ka pasur shumë shkëmbime dokumentesh që nuk janë bërë publike.

“Vitin e kaluar ne kemi qenë në situatë të parandalimit të krizës apo menaxhimit të krizës. Janë kryer shumë punë, shumë takime, shumë biseda telefonike, shumë shkëmbime dokumentesh, të cilat nuk shihen nga publiku. Ne kemi pasur dy takime mes liderëve dhe jemi pajtuar që për takimin e tretë duhet të sigurohemi që të ketë rezultate konkrete”.

Dialogu, "platforma e vetme ku Kosova dhe Serbia janë të barabarta"

Emisari i BE-së shtoi se dialogu nuk zhvillohet për statusin e Kosovës, por për marrëdhëniet e së ardhmes mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, foli edhe për moszbatimin e marrëveshjeve.

Moszbatimi i marrëveshjeve

Lajçak ka thënë se është një listë e gjatë ku Kosova dhe Serbia nuk i kanë përmbushur përkushtimet.

“Natyrisht, ne kemi të dhëna të sakta sa i përket zbatimit të tyre dhe ua komunikojmë këtë gjë të dyja palëve secilën herë që diskutojmë. Palët e dinë saktësisht sa e gjatë është lista e tyre e përkushtimeve të papërmbushura. Ne informojmë edhe vendet anëtare për këtë gjë. Ne e përsërisim se duhet të zbatohet gjithçka për të cilën është arritur pajtueshmëri, sepse ai është parimi themelor i çdo negociate”.

Asociacioni, duke “respektuar Kushtetutën e Kosovës”

Ai mohon se krijimi i asociacionit nga Kosova të jetë pengesa e vetme në dialogun me Serbinë.

“Jo, jo, jo, kjo nuk është e vërtetë. Siç thashë, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë listë të zotimeve që nuk i kanë përmbushur. Ky zotim përmendet publikisht, prandaj ekziston kjo përshtypje, sepse për të është folur shumë publikisht. Por, natyrisht ne preferojmë që për këto çështje të flasim në mënyrë private, kështu bëhet diplomacia. Ne nuk duam që kjo të shndërrohet në një instrument politik në mes të dy palëve”.

Edhe Kolumne Testimi i realitetit të dialogut

Lajçaku u përgjigj kur u pyet nëse lufta në Ukrainë do të ishte një mësim se krijimi i trupave njëetnike, veçmas në Ballkan, mund të jetë bomba e kurdisur e radhës.

“Mësimi nga lufta në Ukrainë, nga agresioni rus në Ukrainë për mua është që paqja, stabiliteti dhe pajtimi janë më të rëndësishme se kurrë. Prandaj, ne duhet të bëjmë përparim në dialog, sepse natyrisht do ta forcojnë në mënyrë të konsiderueshme paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe kjo është shumë e rëndësishme. E dyta, unë gjithmonë them se ne jemi këtu për të promovuar një zgjidhje evropiane, sepse ne duam që të ndihmojmë përshpejtimin e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Ju mund të jeni të sigurt se për çfarëdo që do të pajtohen, do t’i përmbushë standardet më të larta evropiane. Ne nuk duam të krijojmë standarde të posaçme për Ballkanin dhe ka shumë mundësi se si të adresohen këto çështje duke respektuar standardet evropiane dhe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës”. /REL