Në Gjermani numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70% në tetë muajt e parë 2017.
“Die Welt” i ka kushtuar sot dy artikuj temës së punësimit të të huajve në Gjermani.
“Një punë në Gjermani, shumë njerëz në vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si të vetmen rrugëdalje nga papunësia në atdheun e tyre. Aplikantët pjesërisht duhet të presin një vit derisa Ambasadat Gjermane në vendet e tyre t'u lëshojnë vizën e punës. Megjithatë në tetë muajt e parë të vitit është rritur me 70% në 63.000 numri i vizave të punës të lëshuara nga Agjencia Federale e Punësimit”, shkruan gazeta “Die Welt”, duke iu referuar të dhënave që posedon nga kjo agjenci.
Një në tre viza pune për vendet e treta, sipas këtyre të dhënave, i ka kaluar një aplikanti nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i procedurave për njerëzit nga vende si Shqipëria, Kosova apo Bosnjë-Hercegovina është aplikuar që nga fillimi i vitit 2016.
Arsyeja është: se në kulmin e fluksit të refugjatëve në vitin 2015 vinin edhe shumë azilkërkues nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Autoritet gjermane ishin të papërgatitura nga ky fluks duke qenë të mbingarkuara me refugjatët nga Siria.
Meqenëse për të ardhurit nga Ballkani arsyeja e largimit nga atdheu ishte ekonomike, qeveria federale vendosi një rregullore të re për këto vende duke i shpallur ato si vende të sigurta. (…) Në kushte të tilla nuk ka më të drejtë për azil, shkruan DW.
Edhe
Gjermania pritet t’i përgjysmojë kuotat e lejeve të punës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor
Kësisoj, qysh nga viti 2016, kandidatë për punësim nga këto vende mund të aplikojnë për një vizë pune. Kushti i vetëm është, që ato të kenë një ofertë konkrete pune nga Gjermania. Atyre nuk u kërkohet një kualifikim minimal apo pagë minimale, sikurse ndodh në rastin e së ashtuquajturës “Blue Card”, që është e parashikuar për specialistë. (…) Kryesisht vizat e punës janë lëshuar për punëtorë në degën e ndërtimit, por ka nevojë për krah pune edhe në sektorin e gastronomisë, të shërbimeve dhe të kujdestarisë për të moshuarit.
Në Berlin ky model konsiderohet si i suksesshëm dhe po diskutohet nëse rregullorja e vlefshme deri në vitin 2020 mund të shtrihet edhe për vende të tjera veç Ballkanit si p.sh. në rajonet e Afrikës Perëndimore, për të pasur kështu një migracion të organizuar.
Në një analizë të fondacionit Friedrich-Ebert, thuhet se rregullorja për Ballkanin Perëndimor “bart potencial të madh në rrugën drejt një politike inovative migracioni”, shkruan “Die Welt”.