Donika Kadaj Bujupi, deputete e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, ka komentuar ftesën që në orët e vona të së hënës ka treguar për mbledhjen e kryesisë së Kuvendit e cila do të mbahet nesër.
“Në orët e pasdites vonë kanë njoftuar se do të kenë një takim të Kryesisë ndërkohë që Grupet Parlamentare nuk janë njoftuar as për rendin e ditës as për orën se kur do të mbahet”, ka thënë Kadaj Bujupi, në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Kadaj Bujupit aty do të mund të diskutohet edhe për demarkacionin.
“Po mundohen kështu kuturu me i kalu gjërat, kështu shpejt e shpejt. Edhe njëherë po dua të ritheksoj se çfarëdo përpjekje për ta sjell në Kuvend demarkacionin do të prodhojë efekte që nuk do të jenë të mira për Kosovën dhe institucionet”, ka thënë Kadaj Bujupi.
“Ne nuk do të pranojmë. Tashmë të gjithë janë të bindur se me këtë demarkacion humbin territor. Ne nuk pranojmë që të merret për bazë vetëm kadastri, sepse e dimë që kemi edhe një kufi me Serbinë dhe ashtu ai do të në vjen deri në Prishtinë”.