Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media ka sqaruar incidentin ndërmjet Policisë dhe gazetarit Taulant Osmani, të cilin e kishin larguar me forcë jashtë objektit të Kuvendit.
“Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka pranuar me shqetësim raportimet lidhur me incidentin e djeshëm midis personelit të policisë brenda hapësirave të Kuvendit dhe gazetarit Taulant Osmani”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Njëkohësisht, Kuvendi shpreh keqardhjen për incidentin, për të cilin thotë se, “vërtetohet edhe nga pretendimet e palëve, ishte krejt spontan dhe i pamotivuar, por për ne gjithsesi i palakmueshëm. Si i tillë, shpresojmë të jetë i fundit”.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet një prej institucioneve më të hapura dhe transparente në Kosovë, duke u ofruar gazetarëve qasje gjithherë në rritje për të raportuar lidhur me zhvillimet dhe aktivitetet brenda institucionit. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që nga fillimi në shumë raste ka tejkaluar Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, për të krijuar hapësirë të mjaftueshme për mediat dhe për të lehtësuar punën e tyre brenda hapësirave të Kuvendit”, thuhet në komunikatë.
Administrata e Kuvendit është e përkushtuar në bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha mediat në Kosovë, në funksion të informimit të publikut dhe të interesit të përgjithshëm.