Arbëri

Kuvendi po shqyrton në parim projekt-buxhetin e vitit 2019, kritika të forta nga opozita

Ashtu siç pritej, buxheti i 2019-s është kritikuar nga dy partitë opozitare, LDK-ja e Vetëvendosje, për të cilat buxheti i shtetit është buxhet social e për interesa të bizneseve brenda oborrit të qeverisë dhe nuk paraqet asnjë aspekt zhvillimor.

2.3 miliardë euro është buxheti që u prezantua nga Ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili, pos tjerash, deklaroi se rritja ekonomike pritet të jetë 4.7 përqind, ndërsa në terma realë pritet të jetë 4.1 përqind.

Sipas tij, ky buxhet mundëson projekte për qytetarët dhe është program për reforma sektoriale.

Por, buxheti i tij u përkrah vetëm nga PDK-ja e AAK-ja, për të cilat ai është buxhet zhvillimor dhe paraqet rritjen me të lartë ekonomike.

44 vende pune në një ditë të kësaj qeverie mbyllen, ka thënë deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka theksuar se partia e tij nuk e mbështet një gjë të tillë.

Ai tha se, pavarësisht që buxheti është social, nuk u ndahet të varfërve, por atyre që thirren në meritat e së kaluarës, derisa kritika e tij ishte edhe për mosndarje të parave shtesë për FSK-në.

Deputeti Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje, pranon se buxheti ka rritje, por me këtë, sipas tij, po pasurohen vetëm zyrtarët qeveritarë dhe biznesmenët e oborrit qeveritar.

Për të, qeveria e ka bërë shtetin gjobitës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe shërbëtor për oligarkët.

Kritika ndaj buxhetit pati edhe Partia Socialdemokrate. Dardan Sejdiu tha se është i brengosur që ekonomia po reduktohet në infrastrukturë, derisa qeveria nuk ka mekanizma ndaj deficitit tregtar.

Shefi i buxhetit, ministri Hamza, i është kundërpërgjigjur kritikave duke deklaruar se janë vetë këta deputetë që kanë miratuar ligjet duke u thirrur në populizëm, madje ka akuzuar ata se kanë garuar me njëri-tjetrin se cili po jep më shumë për këto kategori.

Sa i përket çështjes së veteranëve, ai ka thënë se numri prej 35 mijë veteranëve është i shtatorit të vitit 2017.

Hamza është kundërshtuar nga Abdixhiku dhe Sejdiu të cilët, në fakt, deklaruan se është qeveria ajo që bën ligje të tilla dhe, sipas tyre, nëse ato ligje janë populiste, është mirë që të bëhet reforma në skemat sociale dhe të kursehen rreth 100 milionë euro, të cilat do të transferoheshin në arsim.