Kuvendi i Kosovës do t’i hap të martën dyert për fëmijët nga ora 15:00 deri 19:00, për nder të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
“Fëmijët së bashku me prindërit e tyre mund ta vizitojnë Kuvendin, duke i respektuar rregullat e COVID-it sipas vendimit më të fundit të datës 31.05.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Po ashtu janë të mirëseardhura edhe mediat dhe i ftojmë t’i përcjellin aktivitetet e të parit të Kuvendit për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve", thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit sot ka vendosur që gjatë kësaj jave deputetët të mblidhen dy herë. Të enjten do të jetë seanca e parë plenare, ndërsa të premten pritet të jetë interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për faljen e gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë COVID-19.