Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa të martën kanë proceduar propozim-buxhetin për vitin 2022 për shqyrtim në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Bashkë me të, kanë rekomanduar që në seancën e radhës të organit më të lartë komunal të shqyrtohen edhe tetë pika tjera të rendit të ditës. Por njëherësh kanë shfaqur dilemën nëse të gjitha këto çështje mund të shqyrtohen dhe debatohen vetëm në një seancë të KK-së, duke marrë parasysh faktin që partitë politike janë në vlugun e fushatës parazgjedhore.
Anëtarët e KPF-së pa ndonjë debat kanë rekomanduar që të gjitha pikat e rendit të ditës të procedohen për në KK, që pritet të mblidhet të enjten. Pas këtyre rekomandimeve, Haziz Hodaj i LDK-së ka shprehur brengën për agjendën e ngjeshur të KK-së.
“Ka disa pika që duhet të diskutohen në seancën e KK-së dhe nuk e di se a mund të kryhet kjo seancë për një ditë, marrë parasysh edhe faktin se tashmë jemi në fushatë parazgjedhore”, ka thënë Hodaj.
Sipas tij, me anëtarët tjerë të KK-së duhet diskutuar nëse është më mirë që çështja e propozim-buxhetit të lihet për diskutim në një seancë të veçantë të KK-së.
“Pikat e rekomanduara për në mbledhjen e KK-së kanë diskutime. Ndërsa propozim-buxheti besoj se kërkon më shumë hapësirë për debat”, është shprehur ai.
Sulltan Badalli ka vlerësuar se kjo çështje duhet diskutuar në praninë e të gjithë kuvendarëve, në mënyrë që të vendoset për rendin e ditës të mbledhjes së VI-të të KK-së së Prizrenit.
Pas mbledhjes së KPF-së, Badalli ka sqaruar se ky Komitet krahas propozim-buxhetit ka rekomanduar për shqyrtim në KK edhe të propozim-vendimit për caktimin e normave tatimore për tatimin në pronë për vitin 2022; propozim-rregullores për menaxhimin e mbeturinave; raportin e auditimit të ZKA-së; raportin e Auditorit të brendshëm; raportin e punës së Zyrës së Prokurimit; raportin e punës së Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit; propozim-vendimin për subvencionimin e disa klubeve sportive; si dhe raportin e punës së KK-së për vitin 2021.
“Të gjitha këto pika të rendit të ditës janë miratuar. Për shkak të situatës, meqë jemi në periudhën e fushatës anëtarët e KPF-së kanë shfaqur brengën e tyre për kohëzgjatjen e seancës. Normalisht nuk ka shumë pika të rendit të ditës, por shkaku i rëndësisë së tyre mund të ketë debat. Pati kërkesa që për buxhetin të ketë një takim të veçantë për shkak të kohës, ku s’dihet se a do të na mjaftojë seanca e së enjtes. Do të shohim se si do të procedojmë në bashkëpunim me gjithë anëtarët e KK-së, të bëjmë një zgjidhje për këtë aspekt”, ka thënë Badalli.
Ai ka pohuar se shkaku i fushatës parazgjedhore seancat e fundit të KK-së janë shoqëruar me një debat më të nxehtë mes anëtarëve të KK-së nga parti të ndryshme.
“Si kryesues kam më shumë ngarkesë për menaxhimin e seancës. Shumica e anëtarëve të KK-së kanë kandiduar sërish dhe e shfrytëzojnë foltoren e KK-së nga pak edhe për fushatë. Por kjo është normale në këtë periudhë”, ka përfunduar Badalli.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit gjatë muajit shtator ka mbajtur një seancë të rregullt, ku në pjesën dedikuar pyetjeve të kuvendarëve dhe përgjigjeve të Ekzekutivit ka pasur përplasje të shumta ndërmjet opozitarëve dhe pushtetarëve. Në muajin shtator është mbajtur edhe një seancë e jashtëzakonshme për diskutimin e përgatitjeve të bëra nga Drejtoria e Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor që pati përplasur opozitën me përfaqësuesit e partisë në pushtet.
Opozitarët patën adresuar qëndrimin se arsimi në Prizren është politizuar dhe si rrjedhojë janë shfaqur shumë parregullsi, ndërkohë që Ekzekutivi dhe anëtarët e KK-së nga radhët e VV-së nuk janë pajtuar me këto konstatime.