Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka shpërfillur afatin ligjor për aprovimin e buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal. Shumica e anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës kanë votuar që propozim-buxheti për vitin 2022 të mos shqyrtohet në seancën e VI-të të rregullt, pas kërkesës së kuvendarëve të caktuar që për këtë politikë publike të organizohet një mbledhje e veçantë e KK-së.
Në seancën e fundit, gjatë diskutimit për rendin e ditës, kuvendari i LDK-së, Haziz Hodaj, ka propozuar që shqyrtimi i propozim-buxhetit të shtyhet për një seancë tjetër.
“Meqë kjo mbledhje është e ngarkuar me vendime e raporte të ndryshme, propozoj që pika për buxhet të shtyhet për një seancë tjetër, në mënyrë që t’i kushtohet buxhetit, pasi kjo politikë ka një rëndësi të veçantë”, ka thënë Hodaj. Adem Shabanaj i VV-së është pajtuar me konstatimin se shqyrtimi i propozim-buxhetit është i rëndësishëm, por ka kërkuar që kjo pikë të shqyrtohet brenda afatit ligjor.
“Buxhetin mundemi me shqyrtua në këtë seancë, ndërsa pikat e tjera mund t’i shtyjmë për një ditë tjetër”, ka deklaruar Shabanaj.
Ilir Baldedaj i AAK-së ka shprehur qëndrimin se ekzekutivi komunal nuk ka zhvilluar konsulta me partitë politike rreth përmbajtjes së propozim-buxhetit për vitin 2022.
“Nëse buxheti është i gjithë komunës atëherë është dashur të ketë edhe konsultim me të gjitha partitë politike që përfaqësohen në KK. Shumicën nuk e keni në KK dhe pastaj e akuzoni opozitën se nuk po e voton, e nuk e ftoni për konsultime”, ka thënë Baldedaj, duke kërkuar që propozim-buxheti të shqyrtohet në një seancë të veçantë.
Organizimin e një seance të veçantë për shqyrtimin e propozim-buxhetit të vitit 2022 e kanë kërkuar edhe Simir Krasniqi i PDK-së, Pranverim Berisha i Nismës dhe Azem Durmishi i NDS-së.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pohuar se kuvendarët mund të vendosin që propozim-buxheti të shqyrtohet në një seancë të veçantë, por ka kundërshtuar pretendimet se nuk ka pasur konsulta gjatë hartimit të tij.
“Për buxhetin komunal ne kemi pasur 5 dëgjime publike, edhe takime të veçanta me qytetarë, dhe i kemi marrë parasysh edhe kërkesat e çdo kuvendari që i ka dërguar me shkrim, jemi munduar me i përfshi. Prandaj, me një anë po kritikohet se po bëhen shumë projekte të vogla, në anën tjetër po thuhet se s’ka pasur konsultim, kjo nuk qëndron. Edhe për KAB, edhe për buxhetin, pa marrë parasysh që ka qenë pandemi kemi mbajtur të gjitha dëgjimet publike dhe nuk është e vërtetë që buxheti është hartuar pa konsultime”, ka deklaruar Haskuka.
Ndërkaq, Alush Shala i AAK-së i ka bërë thirrje kryetarit që të mos politizohet diskutimi për buxhetin.
“Debatet publike për shkak të pandemisë nuk kanë qenë shumë në rregull, janë mbajtur me 4-5 veta... Për me përforcuar atë që kryetari s’ka pasur bashkëpunim me partitë politikë është fakti se për lagjet ‘11 mars’ dhe ‘2 korriku’ nuk e keni parapa asnjë cent investim. Prandaj, shtyrja për një javë nuk përbën problem, ashtu që të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Shala.
diskutimeve, propozimi për shtyrjen e shqyrtimit të propozim-buxhetit është vënë në votim, me ç’rast kryesuesi Sulltan Badallaj ka konstatuar se me shumicë votash kjo pikë shtyhet për një seancë tjetër. Anëtarët e KK-së janë dakorduar që seanca e VI-të t’i ketë 10 çështje në rend të ditës, të cilat megjithatë nuk janë shqyrtuar, pasi mbledhja nuk ka vazhduar pas pushimit të drekës për shkak të mungesës së kuorumit.
Në vitin e shkuar, Kuvendi i Prizrenit e pati aprovuar buxhetin me vonesë disa mujore. Asokohe, Ministria e Financave pati sqaruar se sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, komunat janë të obliguara të aprovojnë buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në KK deri më datën 30 shtator të vitit vijues dhe ta dorëzojnë në Ministrinë e Financave.
“Sipas ligjit, komuna e cila nuk e aprovon buxhetin sipas afatit të paraparë me ligj, Ministria e Financave gjatë hartimit të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal do të reflektojë në dokument të buxhetit të shtetit, buxhetin fillestar për vitin vijues të asaj komune, si dhe do të paraqesë ndryshimin sipas kufijve të paraparë buxhetorë për vitin e ardhshëm fiskal. Në momentin që komuna e aprovon buxhetin sipas rregullave të parapara, buxheti i komunës do të bëhet pjesë e Ligjit të buxhetit”, thuhej në sqarimin e MF-së.