Kuvendarët e Gjilanit, në seancën e udhëhequr nga Shpresa Kurteshi Emini, kanë diskutuar të enjten për gjendjen emergjente të ujit të pijshëm si pasojë e rënies drastike të nivelit të ujit në Pendën e Përlepnicës.
Drejtoresha financiare e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Merita Xhelili, ka paraqitur raport për tejkalimin nga kjo situatë e rëndë, teksa ka falënderuar kreun e Komunës për angazhimin e madh në përballimin e kësaj gjendje.
Ajo tha se tash për tash po e aplikojnë orarin e reduktimeve për nëntë orë, nga 21:00-06:00, ndërkaq ka përmendur se nëse arrihet në pikën kritike, do të shkohet edhe me katër orë plus.
Pasi ka paraqitur planin për dalje nga kjo gjendje, Xhelili theksoi se bashkë me Komunën e Gjilanit po punohet shumë në gjetjen dhe shfrytëzimin e puseve të reja, siç janë te Kazerma e FSK-së, pastaj shpimi i puseve në lagjen “Porodin”, te Livadhet e Koretishtës dhe te ura e Livoçit.
“Ndërsa, zgjidhja afatgjate e cila doli dje nga konferenca e organizuar nga kryetari Lutfi Haziri, është ndërtimi i Pendës ‘Te Shusht’ sikurse edhe te lumi Llapushnica”, tha ajo.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, ka thënë se, edhe përkundër angazhimit të jashtëzakonshëm për ta tejkaluar këtë gjendje emergjente nga institucionet përgjegjëse, “problemet 50-vjeçare të ujit nuk mund të zgjidhen për pesë vite”.
Ndërkaq, në këtë pikë, kritika kanë shfaqur anëtarët e opozitës, Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (VV), Bujar Nevzati (PDK), Shefik Surdulli (PDK) dhe Isa Agushi (i pavarur).
Shefi i GK të Lëvizjes Vetëvendosje, Nevzad Isufi, ka kritikuar kompaninë “Hidromorava” që, sipas tij, nuk i kanë informuar qytetarët për orarin e reduktimeve nëpër lokalitet, derisa ai i PDK-së, Riza Abdyli, theksoi se këta hapa që janë ndërmarrë tash nga Komuna dhe “Hidromorava”, është dashur të merren më herët.
Në përgjigjen në kritikat e anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e opozitës, drejtoresha financiare e KRU “Hidromorava”, Merita Xhelili, tha se përmes faqes së tyre, qytetarët janë të informuar në vazhdimësi për orarin e reduktimeve, për të shtuar se situate emergjente po menaxhohet në mënyrën më të mirë.
Ajo ka njoftuar se 60 për qind e gjilanasve furnizohen me ujë të pijshëm nga Penda e Përlepnicës, ndërsa pjesa tjetër nga burimi në fshatin Velekincë dhe ai te “Baja”.
Në këtë seancë është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin fiskal 2020 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2020-2022.