Arbëri

“Hidromorava” kërkon nga BB-ja 12 mln € për ta zgjidhur problemin e ujit në Gjilan

Pavarësisht rritjes së nivelit të ujit në sasi të vogël pas reshjeve të shiut në pendën e Përlepnicës, Gjilani vazhdon të përballet edhe pas shumë muajsh me mungesë të ujit të pijshëm.

Menaxhmenti i kompanisë që furnizon me ujë, “Hidromorava”, thotë se me qëllim që të sigurojnë ujë për një kohë më të gjatë po detyrohen të realizojnë reduktime, raporton KTV.

Por, kjo kompani, për shkak të kësaj gjendjeje, ka hartuar projektin për investime emergjente.

Përmes këtij plani do t’i kërkohet ndihmë financiare prej 12 milionë eurosh Bankës Botërore dhe garantues do të jetë Qeveria. Me këto para është paraparë që të ndërtohet një pendë tjetër akumuluese në lumin i cili rrjedh në fshatin Pograxhë.

Varësisht ofrimit të ndihmës financiare nga Banka Botërore apo jo për realizimin e këtij projekti që synon të përmirësojë furnizimin me ujë në këtë komunë, sërish nuk do të ketë zgjidhje brenda një kohe të shkurtër.

Pjesëmarrës në debatet për hartimin e projektit nga shoqëria civile thonë se parashikimet janë që tek pas dy viteve të zgjidhet ky problem.

Komuna e Gjilanit, qysh në muajin qershor, kishte shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, për shkak të rënies drastike të nivelit të ujit në pendën e Përlepnicës.