Përveç njohjes nga Serbia, Qeveria e Kosovës ka vendosur që pjesë të marrëveshjes përfundimtare të bëjë edhe garancinë për ulësen në OKB e njohjen nga shtetet jonjohëse, anëtare të BE-së. Ky synim, i cili është bërë edhe pjesë e programit qeverisës të Ekzekutivit të drejtuar nga Kurti, është duke u cilësuar i paarsyeshëm nga njohësit e procesit të dialogut. Nga BE-ja thonë se fokusi duhet të jetë te përfundimi me sukses i dialogut, e jo te çështjet e tilla
I ngutshëm është duke u konsideruar synimi i Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Qeveria kërkon që përveç njohjes nga Serbia, pjesë e marrëveshjes me këtë shtet të jenë edhe njohja nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe garancitë për anëtarësimin në OKB.
“Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB”, thuhet në draft/programin e Qeverisë e i cili nuk është publikuar ende, edhe pse se është miratuar nga Ekzekutivi në fund të javës së kaluar.
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se nuk duhet të kalohet në çështjet që mund të diskutohen më pastaj, pasi qëllim i tyre është përfundimi me sukses i dialogut mes dy shteteve.
Në një përgjigje me shkrim, Peter Stano, zëdhënës për Politikë të Jashtme e të Sigurisë në Bashkimin Evropian, ka thënë se fokusi tani është te përfundimi i dialogut me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe gjithçka tjetër varet nga gatishmëria e dy palëve të përfshira në proces.
“Roli ynë nuk është të komentojmë vërejtjet nga njëra palë ose nga një tjetër, ne fokusohemi në dialogun që duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë. Prioriteti kryesor tani është që dialogu të përfundojë me sukses, le të mos ngutemi në hapat e tjerë që do të pasojnë. Gjithçka varet nga aftësia dhe gatishmëria e të dyja palëve për të gjetur një kompromis të pranueshëm nga të dyja palët”, thuhet në përgjigjen e Stanos.
Në anën tjetër, njohës të procesit të dialogut vlerësojnë se kërkesat e Kosovës për njohjen nga vendet jonjohëse të BE-së e ulësja në Kombet e Bashkuara janë legjitime.
Emir Abrashi, hulumtues në “DemokraciPlus”, thotë se synimet e Qeverisë do të jenë derivat i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Sipas Abrashit, Qeveria mund të kërkojë garanci në çështje të tjera.
“Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në sigurimin e garancive për procesin e liberalizimit të vizave dhe agjendën e integrimit evropian për shkak se janë çështje më të politizuara, më të ndjeshme dhe të cilat kërkojnë garanci, përderisa ulësja në OKB në momentin që arrijmë njohjen nga Serbia nuk besoj se do të jetë problem”, ka thënë Abrashi.
Ai më tutje shton se kabineti qeveritar duhet të hartojë një strategji për bisedimet me Serbinë e të ketë qasje më serioze karshi këtij procesi.
“Qeveria do të duhet të fokusohet në procesin e dialogut në hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse, e cila do të hartohej në bashkëpunim edhe me opozitën, edhe me shoqërinë civile dhe me ekspertë të tjerë t`i qaset me seriozitet procesit të dialogut, sepse ne kemi arritur në një pikë kur jemi me një ngërç në marrëdhëniet tona ndërkombëtare pikërisht për shkak të procesit të dialogut”.
Dialogu me Serbinë ka zërë vetëm dy paragrafë në programin 56-faqesh të Ekzekutivit. Qeveria, sipas këtij programi, vlerëson se marrëveshja e synuar duhet të përfshijë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura e se dialogu për këtë synim duhet të ndërtohet mbi parime të qarta.
“Dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut politik. Marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstituiv. Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale, përveç çështjeve ndërshtetërore, do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së dhe garancinë për anëtarësim në OKB”, thuhet ndër tjerash në program.
Aty po ashtu përmendet edhe rëndësia e koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe e bashkëpunimit me partitë politike.
Programi i Qeverisë 2021-2025: