Arbëri

Kushtëzimi i hyrjes në Kosovë me vaksinë pas festave të fundvitit

Të martën Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-COVID.

Sikurse gjatë verës, kur masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit u shtrënguan kur morën fund vizitat e bashkatdhetarëve, edhe tani në prag të festave të fundvitit Qeveria vendosi që kushtëzimi i hyrjes në Kosovë me dy doza të vaksinës anti-CVOVID të fillojë tek më 3 janar.

Deri atëherë qytetarët që ia mësyjnë Kosovës duhet të kenë së paku një dozë të vaksinës së bashku me testin PCR jo më të vjetër se 48 orë, apo një dozë të vaksinës së bashku me dëshminë se e ka kaluar COVID-19.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, masat e reja që kanë ndërmarrë i përgjigjen situatës pandemike në të cilën është Kosova.

“Miratuam masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Ato i përgjigjen situatës së tanishme pandemike në vend, por edhe nevojës për të qenë të kujdesshëm ndaj virusit i cili me disa variante të tij vazhdon të jetë prezent në mesin tonë”, ka shkruar Kurti.

Për shkak të rrezikut nga përhapja e variantit të ri Omicron, shumë shtete evropiane kanë mbyllur kufijtë me shtete të caktuara nga ku mund t’u ekspozohet rreziku.

Vizitat nga shtetet e tjera, sipas infektologut Arben Vishaj, mund ta sjellin variantin e ri edhe në Kosovë.

“Të gjithë duhet të vaksinohemi për shkak edhe të uljes së temperaturave por edhe ardhjes së bashkatdhetarëve”, thotë Vishaj.

Masat janë kundërshtuar nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.

Kryetari i Odës, Hysen Sogojeva, tha se nuk janë konsultuar nga Qeveria për masat e reja që kanë hyrë në fuqi.

E këngëtari Afrim Muçiqi, u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë t’i rishikojnë edhe një herë masat.

Para 4 muajve Kosova ka qenë vendi i dytë në botë për më së shumti raste të reja në 100 mijë banorë dhe kjo ishte i vlerësuar si rezultat i lirimit të masave.

Edhe atëherë Qeveria pati marrë masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19, por hyrja në fuqi e tyre ishte vendosur të bëhej javë më vonë.