Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kushtetuesja rrëzon pretendimet e Kinollit dhe Berishës

Gjykata Kushtetuese

Foto: Arkiv

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrëzuar pretendimet e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës të përfaqësuar nga Albert Kinolli dhe Partisë Liberale Egjiptiane të përfaqësuar nga Veton Berisha se parti të këtyre komuniteteve kanë fituar në zgjedhjet e 14 shkurt 2021-s duke marrë vota “të orkestruara dhe koordinuara me Listën Serbe”.

Kinolli dhe Berisha janë ankuar se për pasojë të këtyre votave, subjekte të tjera politike kanë tejkaluar numrin e votave të tyre dhe kanë zënë vend në Kuvend.

“Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”, thuhet në aktgjykim të Kushtetueses, të publikuar të enjten.

Në zgjedhjet e para dy vjetëve, Berisha dhe Kinolli ishin ankuar se votat për partitë tjera të komuniteteve të tyre kishin ardhur edhe nga komuna me shumicë serbe. Supremja dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishin anuluar fletëvotimet në disa komuna, por jo në të gjithat që kishin kërkuar ankuesit. Kushtetuesja ka thënë se PZAP-ja dhe Supremja kalkulimin e proporcionit në mes të fletëvotimeve dhe votuesve që supozohet të përfaqësojnë një komunitet që s’është shumicë, e kishin bazuar në “të dhëna të marra nga Enti i Statistikave të Republikës së Kosovës të vitit 2011, por edhe raporteve kredibile të OSBE-së dhe Librat e Votuesve”.

Kushtetuesja ka konstatuar se në kuadër të sistemit zgjedhor në Kosovë, “s’ka asnjë bazë ligjore mbi të cilën do të mund të shpalleshin të pavlefshme fletëvotimet në vendvotime të caktuara, duke u bazuar mbi supozimet për përkatësi etnike të votuesve, përfshirë proporcionin në mes të numrit të fletëvotimeve që mund të ketë fituar një parti, koalicion, nismë qytetare dhe kandidat i pavarur që deklaron që përfaqëson një komunitet që nuk është shumicë dhe numrit të kalkuluar të votuesve të të njëjtit komunitet në vendvotime të caktuara”.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Artikuj të ngjashëm