Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin janë rrëzuar pretendimet e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës të përfaqësuar nga Albert Kinolli dhe Partisë Liberale Egjiptiane të përfaqësuar nga Veton Berisha, ka ndryshuar praktikën për vendet e rezervuara.
“Është një aktgjykim që do të thotë nuk është që është publikuar në tërësi, por vetëm që është nxjerrë konkluzionet apo asaj çka ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në ankesat e dy deputetëve, komunitetit joshumicë në Kosovës që ndërlidhet kryesisht me devijimin e vullnetit të komunitetit joshumicë në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, ku një numër i caktuar ose një numër i deputetëve kishin marrë vota nga komunitetet tjera, do të thotë jo nga ato që përfaqësojnë”, tha Miftaraj të hënën në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka shtuar se aktgjykimi ndërron një praktikë ku janë mbrojtur vendet e rezervuara për komunitetet joshumicë në komunat në Kosovë.
“Nëse deri më tani 20 vende kanë qenë të rezervuara, do të thotë dhe kanë mundur të marrin vota nga komunitetet që ata përfaqësojnë, me këtë aktgjykim mund të themi se kjo tanimë ka ndryshuar, tani lehtësisht partitë politike shqiptare mund të gjejnë serbë të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e institucioneve, të formojnë parti politike dhe të kërkojnë vota edhe te partitë shqiptare”, tha ai.
Miftaraj më tej ka thënë se një gjë e tillë do të mund lehtësonte procedurat në Kuvend për politikat për të cilat Lista Serbe në njëfarë mënyre të vazhdueshme refuzon të jetë pjesëmarrëse apo të bëjë ndryshime kushtetuese, ku deputetët që përfaqësojnë shqiptarët i konsiderojnë të rëndësishme për ta avancuar Kushtetutën e Kosovës.