Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se Lista Serbe në ankesën e saj për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit, nuk e ka përdorur termin “Kuvendi i Prishtinës”, siç e kishte cekur në njoftimin publik vetë kjo parti.
Gjykata ka konfirmuar po ashtu se është duke u marrë me ankesën e Listës Serbe.
Lista Serbe pati njoftuar të shtunën se ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, nga radhët e komuniteteve pakicë gjatë seancës konstituive. Në njoftimin publik, Lista Serbe pati refuzuar ta përmendë Kuvendin e Kosovës duke iu referuar seancave si të mbajtura në “Kuvendin në Prishtinë”.
Rasti pati nxitur reagime të shumta, ndërsa tash Gjykata Kushtetuese ka thënë se në kërkesë Lista Serbe s’ka përdorur term të tillë.
“Kërkesa e parashtruar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, më 30 gusht 2025, është duke u proceduar nga Gjykata. Në kërkesën e parashtruar nuk figuron askund termi ‘Kuvendi i Prishtinës’”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate për KOHËN.
Asnjë nga 9 deputetët e kësaj partie nuk ka marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar. E votat nuk i mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi. Paraprakisht, kryeparlamentari Dimal Basha ndau procesin e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve.
E kjo çështje është kontestuar si jokushtetuese nga Lista Serbe.
Pavarësisht dështimit për të zgjedhur një nënkryetar serb, Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.