Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kontesti Telekom – Dardafon, Kushtetuesja kthen në Apel çështjen e përmbarimit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kthyer në rivendosje në Gjykatën e Apelit çështjen e përmbarimit të borxhit të Telekomit ndaj kompanisë Dardafon, që ishte caktuar nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar. Në një njoftim të publikuar të premten, Kushtetuesja ka gjetur shkelje të parimit të barazisë në Gjykatën e Apelit dhe të Supremes lidhur me çështjen.

Arbitrazhi Ndërkombëtar pati vendosur që Telekomi duhet t’ia paguajë dhjetëra miliona euro Dardafonit për shkak të mosrespektimit të një marrëveshjeje. Vendimi ishte njohur nga Gjykata Themelore dhe ishte konfirmuar nga Apeli. Më pas ishte iniciuar procedura e përmbarimit për vendimin.

Çështja që nxiti kontest në mes palëve ishte prcizimi i shumës që duhej përmbaruar. Për këtë, Themelorja detyroi Dardafonin të precizojë shumën për tre ditë. Kjo kompani propozimin e kishte dorëzuar në Themelore. Telekomi e kishte pranuar më 6 korrik 2020 propozimin e Dardafonit, ndërsa ishte përgjigjur të nesërmen. Por Gjykata Themelore kishte nxjerrë vendim më 6 korrik dhe s’kishte pritur përgjigjen e Telekomit për precizim të shumës.

Telekomi ishte ankuar në Apel, por Apeli e kishte refuzuar si të pathemeltë ankesën. Prokuroria e Shtetit ishte ankuar në Supreme që po ashtu e kishte refuzuar si të pabazuar.

Për këtë Kushtetuesja ka thënë se është cenuar parimi i “barazisë së armëve” dhe se Supremja, e në veçanti Apeli, edhe pse e kishte “juridiksionin e plotë” kishin dështuar të adresojnë parimet duke mos i rikuperuar.