Dialogu do të ketë ngecje për faktin se Serbia gjithmonë e ka pasur të njëjtin qëllim duke përdorur gjuhën nacionaliste para proceseve zgjedhore, kështu ka theksuar në një intervistë për Ekonomia Online, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Tutje, Kusari-Lila shtoi se pala serbe nuk ka pasur vullnet që të ketë avancim të këtij procesi. Ajo thotë se mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i këtij shteti pas zgjedhjeve edhe pse nuk pret ndonjë ndryshim të madh.
Kusari-Lila vlerëson se Serbia ka dëshmuar një politikë pro-ruse, përderisa Kosova e ka dëshmuar të kundërtën dhe është rreshtuar krah vendeve demokratike.
“Dialogu do të ketë ngecje për faktin se Serbia gjithmonë e ka pasur të njëjtin qëllim duke përdorur gjuhën nacionaliste para proceseve zgjedhore, e njëjta ndodhi edhe me zgjedhjet e 3 prillit. Domethënë prej fillimit vërehet se nuk ka pasur vullnet të ketë përparim ose avancim në agjendën e integrimit rajonal që nënkuptonte progresin në dialog. Tash mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi pas procesit zgjedhor edhe pse rezultati zgjedhor në Serbi nuk është fare premtues në raport me demokratizimit e vendit. Vërehet një politikë e cila fatkeqësisht në kundërshtime me të gjitha vendet evropiane është pro-ruse. Ndërsa është forcuar ky element me hyrjen e dy forcave politike në Kuvendin e Serbisë. Çfarëdo që themi është e hershme për faktin se duhet të pritet se si do të shkojnë proceset atje ndërsa për të pasur sukses duhet të dyja palët. Kosova në të kundërtën është vend që ka dëshmuar demokracinë funksionale dhe rreshtimin me vendet demokratike dhe do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundrejt problemeve që mund të vijnë nga Serbia”, tha Kusari-Lila.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës me mandatin që ka marrë është e përkushtuar që t’i kryejë të gjitha obligimet që ka karshi qytetarëve për proceset e reformave dhe po punon intensivisht.
“Të gjitha obligimet që i ka Qeveria karshi qytetarëve të saj me mandatin të cilin e ka marrë për procese të reformave të shumta është e përkushtuar dhe po punon intensivisht. Në aspektin e dialogut nëse ka insistim nuk mund të ketë sukses vetëm me njërën palë. Prandaj në fushën dhe orientimin e obligimeve tona si shtet dhe si Qeveri jemi të përkushtuar t’iu dalim karshi pritjeve të qytetarëve të Kosovës. Procesi i integrimit është më tepër që lidh Kosovën me zhvillimet e brendshme, por reformat duhet të bëhen brenda në Kosovë dhe ato tashmë po ndodhin çdo ditë”, tha ajo.
Edhe
Kusari-Lila optimiste për anëtarësim në KiE gjatë 2024-s: BE-ja ta ndryshojë qasjen në dialog
Kusari – Lila ka folur edhe për politikën e jashtme ndërsa ka shtuar se njohja më me peshë ka ardhur nga Izraeli.
Ndërsa sa i përket akuzave për punësimeve të militantëve partiakë në KEK, Kusari-Lila, ka bërë apel që të mos abuzohet me informata.
“Inkurajojmë të gjitha palët e përfshira, shoqërinë civile dhe mediet që para publikimit të informacioneve mos të abuzojnë me informata. Ne kemi pasur dy deputetë të afërmit e të cilëve janë përfolur për punësim në KEK e të cilat nuk kanë rezultuar të vërteta. Aq më tepër se te rasti i njërit që u tha se vëllai i tij është punësuar, vëllai i tij as që gjendet në Kosovë. Duhet të jetë një llogari e të gjitha palëve të përfshirsa nëse jemi të interesuar që të kemi procese transparente e kredibile dhe të gjithë të mbahemi përgjegjës për detyrat dhe përkushtimet tona”, tha Kusari – Lila./EO
-
Kusari-Lila: Serbia po e sheh se përtej kufirit me Kosovën është një shtet tjetër
-
Kusari-Lila: Agjendën e dialogut e ka vendosur procesi zgjedhor
-
Kusari-Lila: Qëndrimet e ndryshme brenda partive e vështirësojnë konstituimin e institucioneve
-
Kusari-Lila akuzon partitë e tjera për ngërç: Dëshirat po shkojnë mbi mandatin që po marrin