Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti viziton vendet e prekura nga tërmeti, thotë se forcimi i ushtrive duhet të jetë prioritet i Shqipërisë dhe i Kosovës

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje që pret së shpejti të bëhet kryeministër, Albin Kurti, ka njoftuar se sot ka qëndruar për vizitë në Shqipëri, gjegjësisht në vendet e prekura nga tërmeti.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se tërmetet e forta dinë të gjunjëzojnë çdo shoqëri, janë të paparashikueshëm prej shkencës, e janë veçanërisht vdekjeprurës në vendet e varfra, me infrastrukturë të pazhvilluar, apo në vendet ku ligji e standardet ndërtimore nuk zbatohen siç duhet.

Kurti tutje ka thënë se forcimi i ushtrive të Shqipërisë e Kosovës do të duhet të ishte prioritet për qeveritë, sepse kjo do të ndihmonte përballimin e situatave të tilla, të cilat sipas tij fatkeqësisht vijnë edhe papritur.

“E megjithatë, Shqipëria që vizituam në mëngjesin e sotëm, edhe pse nuk e fshihte trishtimin e lotët, nuk ishte e gjunjëzuar. Populli i Shqipërisë e ai i Kosovës, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës e diasporës të gjithë janë bërë bashkë për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të atyre që fatkeqësisht kanë humbur jetën prej tërmetit, por edhe atyre qindra personave të lënduar e të traumatizuar, e shumë të tjerëve që janë dëmtuar ekonomikisht, një pjesë e mirë duke mbetur edhe të pastrehë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se ndër zonat më të goditura ishin Durrësi e Thumana, vendet ku janë humbur më shumë jetë e rrënuar më shumë banesa. Andaj thotë se sot, së bashku me Enver Dugollin, Salih Zybën e Arbër Zaimin, i vizituan këto dy vende.

“Në shkollën “Leonik Tomeu” në Durrës vizituam njërin nga vendet ku magazinohen ndihmat e dhuruara nga qytetarë të Shqipërisë e të Kosovës, e në stadiumin “Niko Dovana” u takuam me pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndër ta edhe kolonelin nga Shqipëria Arben Toska dhe koordinatorin e FSK për veprimet në Shqipëri, Nysret Buzhala e komandantin e njësitit të kërkim/shpëtimit, Kreshnik Limoni. Është për t’u përgëzuar angazhimi i tyre i përbashkët, dhe harmonia organizative e disiplina me të cilën ushtria i qaset këtyre rasteve emergjente”, ka shkruar ai.

“Më pas vizituam edhe Thumanën, ku biseduam me familjarë të viktimave, me banorë të qytezës, me vullnetarë të cilët punonin në kampin e tendave, por edhe me politikanë që kishin shkuar për vizitë aty. I ngushëlluam banorët, dhe u përpoqëm të mësojmë se si mund t’i ndihmojmë sa më mirë e t’u gjendemi pranë në këtë kohë të vështirë. Aktivistë të Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri e kishin vizituar Thumanën këto ditë, dhe kishin bërë një vlerësim të nevojave e të gjendjes, gjë që do të na ndihmojë në përgatitjen e ndihmave tona. Në Thumanë takuam edhe zv.kryeministrin e Shqipërisë, Erion Braçen, dhe ministrin e rendit, Sandër Lleshajn, bashkë me deputetet Lindita Nikolla dhe Eglantina Gjermeni. U shprehëm atyre ngushëllimet tona, dhe gatishmërinë e madhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të ndihmuar me çdo mundësi që kemi”, ka shkruar Kurti në Facebook.