Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takon përfaqësuesin special të Norvegjisë, diskutojnë edhe për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të martën në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad.

Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe mundësitë për thellimin e tyre me theks të veçantë bashkëpunimin në sektorin e energjisë, njoftoi Kryeministria.

Kurti e njoftoi për të arriturat dhe sukseset e Kosovës në vitin që lamë pas në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin demokratik dhe ekonomik.

Në këtë takim, sipas ZKM-së, gjithashtu u diskutua për çështjet rajonale si dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për intensifikim të tij drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.