Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takohet me senatoren Ernst, e falënderon për ndihmën ndaj FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në Washington të mërkurën nga senatorja Joni Ernst, ka bërë të ditur Zyra për informim e Qeverisë.

Sipas njoftimit, ai e falënderoi senatoren për përkrahjen e Gardës Kombëtare të Ioëas për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimit të FSK-së, derisa Kurti tha se mbështetja e tillë është e domosdoshme pas pushtimit rus në Ukrainë.

“Në takim u bisedua për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe fushat zhvillimore. Kryeministri Kurti e njoftoi për fillimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e theksuar të buxhetit për mbrojtje, rritjen e mbështetjes për bujqësi, rritjen e pensioneve për 11% dhe pensioneve për persona me aftësi të kufizuara për 33%, arsimimin publik falas përfshirë nivelin universitar. Ai theksoi indikatorët pozitivë ekonomik që po sjellë stabiliteti institucional në vendin tonë, përfshirë rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore për 31%, rritjen e të hyrave tatimore për 34.3%”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti u takua edhe me kongresistin Jim McGovern, me të cilin përmendi rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

“Kurti ka potencuar se prania e NATO-s në Kosovës dhe bazës ushtarake të SHBA-së, i bën qytetarët e Kosovës të ndjehen më të sigurt”, thuhet në njoftim.