Arbëri

Kurti takohen me ambasadorët e QUINT-it, bisedon për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tamas Szunyog.

Në takim është diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi e po ashtu për marrëveshjen për targat, si dhe për dakordimin për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë. Kurti ka ripërsëritur se dialogu duhet të jetë parimor dhe në qendër ta ketë njohjen e ndërsjellë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. U bisedua për marrëveshjen për targat, që ka skaduar me 21 prill të këtij viti, si dhe për propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për trajtimin e çështjes së targave. Po ashtu, u fol edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. U theksua angazhimi i Qeverisë në zbatimin e udhërrëfyesit, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë nё komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore. U potencua se me këtë marrëveshje, buxhetit të Republikës së Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të komunave në veri të Kosovës”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.