Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar protestat e studentëve të 1 tetorit të vitit 1997, në të cilat ishte pjesë edhe vet ai.
Ai ka thënë se çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit të vitit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit.
Ai ka kujtuar edhe rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovcin, për të cilin ka thënë që i priu në protesta dhe asnjëherë nuk u zmbraps.
“Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë. Ishim studentë të një universiteti që konsiderohej paralel e i krijuar nga shqiptarët, të cilëve arsimi i lartë nuk u lejohej në Kosovë. Mësimin e mbanim në shtëpi të njerëzve zemërgjerë që i kishin lëshuar përkohësisht ato për ne. Aktivitete jashtë universitare pothuajse nuk kishte fare. E ato pak aktivitete që i kishim, ishin të kufizuara nga orët policore apo patrullat e policëve. Te fytyrat e prindërve tanë shihnim një brengë të pafundme për të ardhmen tonë të pasigurt. Gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart'heidit. Por pavarësisht këtyre rrethanave, ne kishim dëshirë të madhe për mësim e lexim. Kishim vullnetin e shkëlqimin rinor të cilat na shtynë që të përpiqemi për liri, të bëjmë rezistencë aktive e ta marrim vëmendjen e botës më 1 tetor 1997. Që atëherë, çdo 1 tetor kujtojmë ditën kur 20 mijë studentë në Kosovë të veshur në të bardha, me parulla si “Merrni frymë sikur ne”, “Lirim i pakusht i objekteve universitare!” dhe “E nesërmja flet sot, nesër vonë!” marshuan për të kërkuar lirimin e ndërtesave dhe hapsirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb. Çdo 1 tetor përkujtojmë intelektualin që na priu në protestat e 1997-s, rektorin e Universitetit dhe akademikun e rezistencës që asnjëherë nuk u zmbraps, Prof. Ejup Statovcin. Çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

-
Kurti: Protesta e 1 Tetorit theu mitin e "policit serb" dhe i parapriu luftës çlirimtare
-
Përkujtohen protestat e studentëve dhe ish-rektori Ejup Statovci
-
Protesta studentore e profesor Statovci – sinonime të luftës për liri
-
24 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore
-
Kurti: Brezi i demonstruesve të ’81-tës, shtyllë e grupeve themeltare të UÇK-së