(E përditësuar) -
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i gatshëm për zgjedhje të reja, por ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje.
Në konferencën për media të premten, Kurti ka thënë se është i gatshëm që të merret vesh me opozitën për të shpërndarë Kuvendin, por jo për ta rrëzuar Qeverinë.
“Sa u përket kërkesave të opozitës po e them edhe njëherë, nesër në ora 11:00 bëhen fiks tre vjet që kam marrë detyrën. Hyjmë në vitin e fundit. Sonte në orën 20:00 bëhen 3 vjet që na kanë votuar mua dhe ministrat e mi sepse të gjithëve ua kam lexuar emrat para se 67 deputetë të ngrenë dorën e të thonë për. Ne dëshirojmë të vazhdojmë të qeverisim. Por e kuptojmë se janë 12 muajt e fundit. Pas 12 muajve do të mund të jetë situata e një dimri që nuk e dimë çfarë është për zgjedhjet e ardhshme. Moti atëkohë s’ka qenë edhe i keq, por as edhe i mirë. Nëse dëshirojmë që zgjedhjet t’i mbajmë jo në dimër, mund të caktojmë data bashkë me opozitën. Por dorëheqje nuk mund të jap”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu nuk ka qenë prioriteti kryesor i Qeverisë në tri vjet mandat deri tash.
Edhe
Kurti shmang pyetjen për mundësinë e koalicionit me LDK-në
Kurti kishte thënë se dialogun e ka prioritet të shtatë para se të vinte në pushtet, por është kritikuar se më së shumti kohë gjatë qeverisjes ka shfrytëzuar aty.
Kurti ka këmbëngulur se dialogu s’është prioritet i parë por është dukur ashtu për shkak të vëmendjes mediale e ndërkombëtare.
“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”, ka thënë shefi i Qeverisë gjatë konferencës për media që e mbajti të premten për shënimin e trevjetorit të ardhjes në pushtet.
Sa i përket lëvizjeve të ushtrisë serbe në kufi, Kurti ka thënë se deri tash s’ka pasur informacione se janë afruar sërish.
“Gjithçka është nën vëzhgim. Deri tash, në ora 16, nuk ka asnjë dëshmi që janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrimet ushtarake, por ushtrimet s’mbahen 10 metra afër kufirit. Nëse duam normalizim, ushtria rri në kazerma, nuk vjen në kufi. Duket që dita e sotme do të jetë ndryshe nga e djeshmja”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka njoftuar se të enjten gjatë ditës janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën. Me anë të disa pamjeve të publikuara në faqen zyrtare në Facebook, Kurti ka thënë se këta trupa janë parë në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Kjo u mohua nga ushtria serbe.
Kurti lavdërohet në trevjetorin e qeverisjes: Jemi krenarë dhe ballëhapur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë krenar dhe ballëhapur në shënimin e trevjetorit prej kur e ka nisur qeverisjen, duke numëruar ato që ai i ka quajtur suksese.
Edhe
Kurti paralajmëron t’i bëjë ofertë opozitës për presidentin
Në konferencë për media të premten, Kurti ka thënë se kanë dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar e nga mbështetja e Qeverisë 12 mijë gra kanë vende pune.
Shefi i Qeverisë është shprehur se kanë zbutur edhe hendekun eksport-import duke mbështetur prodhuesit vendorë e qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 (19.7 miliardë euro), sipas tij, ka arritur nivele rekorde.
Kurti ka thënë se në qeverisjen e tij ka më shumë sundim të ligjit e korrupsioni po luftohet, por “eliminimi i tij varet nga gjykatat e prokuroria”.
Numri i inspektimeve të tregut është rritur me 63 për qind, siç ka thënë Kurti, e në veri është ulur ilegaliteti e po rritet ligjshmëria.
Ka përmendur edhe mbështetjen për nëna lehona e fëmijët nën 16 vjeç. Ka thënë se e kanë mbajtur premtimin që arsimi i lartë publik të jetë falas.
Kurti ka konsideruar se janë bërë reforma edhe në sektorin e bujqësisë “përmes eliminimit të keqmenaxhimit e keqpërdorimit”.
“Ushtrinë e kemi më të fortë e më të përgatitur sepse e ka buxhetin dyfish më të madh”, ka thënë ai.
Programi 12-milionësh “Kosova, shtet i xhudos”, sipas Kurtit, konfirmon mbështetjen që Qeveria e tij e ka pasur për sportin.
Edhe
Kurti: Mbështetja për ne vetëm sa do të rritet
Ka thënë se do t’i përfundojnë rrugët Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë e autostradën Prishtinë – Gjilan.
“E di që gjatë kësaj kohe kemi kaluar vështirësi, por si qeveri e kemi pasur në mendje interesin më të mirë të vendit”, ka thënë Kurti ndër të tjera.