Arbëri

Kurti: Qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë fundjavës, ai bashkë me 17 anëtarët e kabinetit qeveritar zhvilluan punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

“Të shtunën dhe të dielën, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes sonë. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se qytetarët kanë votuar për ndryshimin të cilin do ta jetësojë qeveria e tij.

Ai ka thënë se këto dokumente së shpejti do të dalin në Qeveri dhe në Kuvend për votim.

“Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim. Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësur ndryshimin, kurse me punën tonë, qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim”, ka thënë Kurti.