Arbëri

Kurti: Qeveria e përkushtuar në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të komunitetit egjiptian

ALBIN KURTI

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se do ta vazhdojë përkushtimin për t’i përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të të drejtave të komunitetit egjiptian, në konferencë me rastin e Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian.

Ai rikujtoi se organizimi politik i komunitetit egjiptian gjatë dy dekadave të fundit, ishte kontributdhënës për shtetësinë e Kosovës.

“Ne synojmë që ta zbatojmë në plotni Ligjin nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, me të cilin përcaktohet që në institucionet publike qendrore, minimum 10% e vendeve të punës në të gjitha kategoritë e zyrtarëve publikë duhet të plotësohen nga pjesëtarët e komuniteteve”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se pavarësisht zhvillimit, ky komunitet ende po përballet me varfëri dhe mungesa në shumë fusha.

“Edhe pse ka pasur zhvillime pozitive në aspektin e mbrojtjes, promovimit dhe zbatimit të të drejtave të komuniteteve në shumë fusha, jemi të vetëdijshëm se ka ende sfida të shumta dhe gjendja e komuniteteve, edhe atij egjiptian nuk është e mirë, si nga aspekti i diskriminimit edhe ai socio-ekonomik. Si rezultat i papunësisë së këtij komuniteti varfëria është prezente, ende kemi nevojë që ky komunitet të përfshihet në arsimim, e sidomos në arsimin e lartë dhe atë profesional”.