Arbëri

Kurti potencon rrezikun që Putini ta shpërndajë luftën edhe në Ballkan

Dy delegacione ndërkombëtare kanë qëndruar të premten në Kosovë. Njëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e tjetri nga Austria.

Në takime të ndara, delegacioni i Shtëpisë së Bardhë, i kryesuar nga këshilltarja për Siguri Kombëtare e presidentit Joe Biden, Elizabeth Sherwood-Randall, është takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Që të gjitha takimet e këtij delegacioni ishin të mbyllura për media.

E tjetra vizitë ishte ajo e kancelarit të Austrisë, Karl Nehammer, i cili është pritur me ceremoni shtetërore.

Pas takimit rreth njëorësh, kancelari austriak tha se e përkrah përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, sidomos pas situatës së krijuar nga lufta në Ukrainë.

Sipas Karl Nehammer, një gjë e tillë është e mundur edhe me përkrahjen e miqve të tjerë të Kosovës.

“Besoj që së bashku do t’ia dalim, sepse për Austrinë Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike e rëndësishme. Ne kemi lidhje historike me njëri-tjetrin, nëse shikojmë pas, mirëpo është e rëndësishme që të shohim edhe të ardhmen dhe të jemi bashkë edhe në të ardhmen dhe për këtë nevojitet që edhe Kosova të jetë brenda BE-së, në familjen e BE-së”, tha Nehammer.

Në anën tjetër, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka potencuar rrezikun me të cilin Ballkani Perëndimor përballet nga Rusia. Sipas tij, presidenti rus ka për qëllim që të negociojë me presidentin e SHBA-së, andaj do ta shpërndajë luftën edhe jashtë Ukrainës.

“Përshtypja ime është që presidenti rus dëshiron që të ulet në tryezën e negociatave jo me presidentin Zelenskyn por me presidentin Biden dhe për këtë qëllim të tij unë kam drojën që ai do ta intensifikojë luftën në Ukrainë por edhe ta shpërndajë diku tjetër. Sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me agresionin dhe invazionin në Ukrainë. E Ballkani Perëndimor është i rrezikuar meqenëse edhe në Ballkanin Perëndimor ka luftë hibride. Sputniku e ka qendrën në Beograd edhe 160 km nga ky vend ku jemi ne sot, në Nish ndodhet e ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse”, tha Kurti.

Derisa kancelari Nehammer ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje, Kurti nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse do të lejohet apo jo mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Brukselin edhe me ambasadat e QUINT-it, por gjithashtu me SHBA-në, dhe besojmë nuk do të ketë kurrfarë problemesh, dhe ata që do të mund të paramendojnë ose larg qoftë do të tentojnë, nuk do të mund të ketë sukses. Kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e 3 prillit nuk besoj që do të jetë ndryshe”, tha Kurti.

Të premten, kancelari austriak, Karl Nehammer, është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, derisa pasdite u takua edhe me ushtarët austriakë në Kosovë.