Arbëri

Kurti nga Austria përmend mundësinë e përfshirjes së Asociacionit në Planin evropian

Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Austri. Ai është pritur me ceremoni zyrtare nga kancelari Karl Nehammer, i cili ka ofruar mbështetje për dialogun me Serbinë, si dhe për kërkesën e Kurtit për shtim të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë. Nga Austria, kryeministri Albin Kurti foli edhe për mundësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zmbrapsur nga refuzimi i diskutimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në konferencën për media, të enjten, pas takimit me kancelarin austriak, Karl Nehammer, në Vjenë, ai ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes së Asociacionit në Planin evropian për marrëveshjen finale Kosovë - Serbi.

Megjithëkëtë, shefi i ekzekutivit ka përsëritur qëndrimin se në Kosovë nuk mund të lejohet formimi i një asociacioni njëetnik.

“Ne besojmë që është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje negociatat. Jemi në një moment kur flasim, diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë në mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet, megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës, që u ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe, dhe që është përpiluar nga z.Ahtisaar, në frymën e saj nuk lejon asociacion njëetnik”, ka thënë Kurti.

E kancelari Nehammer ka shprehur mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se të dyja palët duhet të angazhohen drejt arritjes së një marrëveshjeje.

“Edhe në situatën mes Kosovës dhe Serbisë në e shohim veten si urë lidhëse, pra të dyja shtetet duhet të gjejnë një lloj mënyre që të ballafaqohen me njëra-tjetrën dhe të gjejnë, të krijojnë, një të ardhme prosperuese dhe paqësore. Pra, është me rëndësi që partnerët ndërkombëtarë të lënë aq hapësirë që të dyja shtetet të mund të vendosin se sa larg duan të shkojnë me negociatat e tyre”, është shprehur Nehammer.

Derisa Kurti ka arsyetuar kërkesën për rritje të pranisë së KFOR-it në Kosovë, kancelari Nehammer u shpreh se Austria është e gatshme për një gjë të tillë nëse kërkohet.

“Kemi shprehur interesim që të kemi më shumë ushtarë të KFOR-it në Kosovë për shkak të 48 bazave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, 28 janë ushtarake dhe të tjerat quhen civile, por sidomos për shkak se prezenca e elementeve ushtarake paramilitare si mercenarët e Wagnerit, prezenca e tyre në këto baza është shumë më sfiduese dhe brengosëse”, ka thënë Kurti.

“Kemi më shumë se 300 ushtarë që kryejnë detyrat e tyre në Kosovë për paqe dhe siguri. Ne e mbështesim thirrjen e Kosovës për rritje të trupave për siguri më të madhe dhe do të jemi të gatshëm të ofrojmë trupa mbështetës nëse KFOR-i na kërkon këtë gjë”, ka deklaruar Nehammer.

Gjatë vizitës njëditore në Austri, kryeministri Kurti ka marrë pjesë edhe në diskutimin e organizuar me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë". Ky diskutim është organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë, si dhe nga Ambasada e Kosovës në Austri.