Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se keqinvestimi është faktori kryesor që e ka degraduar ekonominë në Kosovë.
"Arsyeja pse po vjedhin shumë është sepse janë në mandatin e tyre të fundit. Është edhe koha kur ata po e ndjejnë se nuk mund të jenë në pushtet sërish. Ky është mandati i fundit i presidentit dhe kryeministrit", ka thënë Kurti gjatë një bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Prishtinës.
Kurti ka shtuar se në jetën e një shoqërie shkollimi dhe punësimi nuk janë dy faza të ndryshme e të njëpasnjëshme, sikur ndodh tek individi. Sipas tij ajo që vlen për jetën e një individi nuk vlen për një shoqëri, raporton KP.
"Ne propozojmë një sistem të integruar organik midis studimit dhe punësimit, këto duhet të shkojnë bashkë. Ne nuk e shohim Universitetin si vend konsumi, por prodhimi, aty duhet edhe të prodhosh. Nëse universiteti nuk ka kërkim shkencor Universiteti i përngjan shkollave të mesme”, tha ai.
Sipas tij elementi tjetër është keqinvestimi në Kosovë.
“Këtu përveç që ka krim të organizuar, korrupsion, keqpërdorime, është edhe keqinvestim, paratë dërgohen në shtigje të gabuara. 10- fish më shumë shteti i Kosovës, për shkak të kësaj qeverie, jep për asfalt sesa për universitet. Ka investime aty ku mund të vidhet më shumë, ka investime kur nuk janë të fokusuara për punësim por për kapital. Neve na nevojiten investime në ekonomi, që sjellin punësim. Kur isha në spital nuk kishin mjekët e infermierët as maska e as dorëza, medikamentet bazë i blinin vet pacientët. Nuk kishte dorëza sepse kushtojnë lirë, aty nuk mund të vjedhin shumë, sikur në asfalt ", ka thënë Kurti para studentëve.