Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se gjatë muajit mars Kosova kujton qindra masakra të kryera mbi popullsinë civile.
“Dy ditë para marsit kujtuam dhe bëmë homazhe para dëshmorëve në Likoshan e Qirez. Tash në mars kujtojmë masakrën e Krushës së Madhe, të familjes Berisha, masakrën e Izbicës, masakrën e familjes Bogujevcit dhe masakrën e Pastasellit. Përkulemi me nderim të përjetshëm para atyre që u flijuan”, ka thënë ai të martën.
Gjatë mbledhjes është miratuar kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes për marrje në shfrytëzim të pronave për nevoja të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Pronat që kërkojmë t’i marrim në shfrytëzim janë prona të Republikës së Kosovës Dumosh, Radujekë, Racubek..”, ka shtuar ministri Ejup Maqedonci.
Të gjitha vendimet e Qeverisë gjatë mbledhjes të së martës:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje të rregullt, në të cilën ka:
- Miratuar Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028. Ky Program ka për qëllim përcaktimin e masave dhe të prioriteteve të institucioneve shtetërore për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës si dhe të reformave tjera për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
- Miratuar Rregulloren për Organizimin dhe Fushëveprimin e Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijës. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi i mandatit ka pas në fokus zhvillimin e programeve të kujdesit dhe mirëqenies së njerëzve në nevojë sociale, në veçanti të mbrojtjes, kujdesit dhe mirëqenies së fëmijëve. Qëllimi i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i organizimit dhe fushëveprimit të Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijës.
- Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronave të evidentuara në emër të Republikës së Kosovës, Vendimin e Qeverisë Nr. 06/134 të datës 1 mars 2017, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për të kontribuar më tej në ngritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, ka paraparë që pronat e ish Aeroportit të Dumoshit t’i jepen në shfrytëzim Forcës së Sigurisë së Kosovës.
- Ndarë mjete buxhetore në vlerë prej 50,000 Euro për financimin e projektit "Trajtimi i Ujërave të Zeza në Ferizaj", nga fondet e huamarrjes.
- Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për amendamentimin e Marrëveshjes për themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me Ligjin Nr. 04/L-069 dhe e shpallur me Dekretin Nr. DL-055-2012 të datës 13 dhjetor 2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Ky vendim është miratuar nga Qeveria e Kosovës në cilësinë e anëtarit të BERZh-it dhe në pajtim me iniciativën e Bordit të BERZh-it.
- Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështje Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë. Përmes kësaj marrëveshjeje synohet të përmirësohet bashkëpunimi gjyqësor i të dy palëve në hetimin dhe përndjekjen e krimit, ekstradimin e personave me qëllim të përndjekjes ose vuajtjes së dënimit, si dhe transferin e personave të dënuar, zbatimin e dënimeve me burg dhe konfiskimin e të ardhurave nga krimi.
- Miratuar Strategjinë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivëve 2024-2028 dhe Planit të Veprimit. Koordinator Nacional për Planin e Veprimit për AVLE, caktohet Ministri i Punëve të Brendshme, i cili këtë përgjegjësi mund ta delegojë te njëri nga zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me aprovimin e kësaj Strategjie dhe Planit te Veprimit do të avancohet mekanizmi i nevojshëm në pajtim me standardet ndërkombëtare, për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivëve, si dhe do të sigurohet një mjedis i sigurt në të cilin AVLE-të dhe eksplozivët janë nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për sigurinë e vendit.
- Miratuar Raportin vjetor 2023 për Implementimin e Programit për Eliminimin e Barrierave në Tregti sipas Neneve 34 - 36 Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE) (2021 - 2025). (TFBE). Programi për Eliminimin e Barrierave në Tregti është miratuar me 22 qershor 2021 nga Qeveria e Republikës së Kosovës me Vendimin Nr. 22/16.
- Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 05/121 të datës 25 janar 2023 për emërimin e anëtarëve të Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve. Sipas këtij plotësim ndryshimi Dr. Albana Sahiti-Morina, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendësohet me Niman Bardhi.
- Ndarë mjete buxhetore për Agjencinë e Statistikave të Kosovës, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Drejtësisë në vlerë totale prej 900,000 Euro - 300,000 Euro për secilën organizatë buxhetore - për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
- Ndryshuar dhe plotësuar vendimin Nr. 09/24 të datës 11 gusht 2021 për vazhdimin e mandatit të anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë në afat kohor prej dy vjetëve në këtë përbërje:
Fadil Bunjaku, përfaqësues nga Ministra e Drejtësisë;
Bora Duli, përfaqësuese nga Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve;
Jahë Gecaj, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë;
Hydajet Hyseni – Kaloshi, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës;
Berat Luzha, përfaqësues nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë të Kosovës;
Mazllum Baraliu, përfaqësues nga Shoqata e Juristëve të Kosovës.
- Ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 18/47 të datës 10 dhjetor 2021 për vazhdimin e mandatit të Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë në afat kohor prej dy vjetëve në këtë përbërje:
Shefik Sadiku, udhëheqës i Sekretarisë;
Naime Sherifi, zyrtare;
Faik Ajeti, zyrtar.
- Shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh. A. Prizren dhe ka emëruar Bordin e Përkohshëm të kësaj ndërmarrje në këtë përbërje:
Z. Ismet Vrapçani, kryesues;
Znj. Dhurata Gutaj, anëtare;
Z. Taulant Tanushaj, anëtar;
Znj. Sibel Halko Shatri, anëtare.