Arbëri

Kurti përkujton masakrat në Likoshan e Qirez: Drejtësia për viktimat është obligim i yni

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar masakrën ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe më 28 shkurt 1998 në fshatrat Likoshan dhe Qirez.

Duke treguar se si këto fshatra para hyrjes së forcave policore brenda tyre, u sulmuan me helikopterë e vetura ushtarake, Kurti ka kujtuar 20 civilët e paarmatosur shqiptarë që u masakruan në këtë ditë, si dhe katër dëshmorët në luftimet ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe policisë serbe në Drenicë.

“Përpara se të hynin brenda forcat policore, fshatrat Likoshan dhe Qirez u sulmuan nga forcat e armatosura të Serbisë me helikopterë dhe makina ushtarake. Sulmi i forcave speciale serbe, me artilëri të rëndë, vazhdoi për 28 orë. U masakruan 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: Beqir Sejdiu (26), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27 vjeç, në muajin e shtatë të shtatzënisë), Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), Gani Ahmeti (46), Ahmet Ahmeti (50), Hamzë Ahmeti (44), Hilmi Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18) dhe Elhami Ahmeti (16)”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se edhe pas 26 vjetësh që kur ka ndodhur kjo masakër, as urdhërdhënësit e as ekzekutuesit e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit nuk janë dënuar.

“Drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë është obligim i yni. Kujtimi ynë për ta është i përjetshëm. Flijimi i tyre është i monumentalizuar si sakrificë në themelet e Republikës së Kosovës, shtetit tonë që duhet dhe që po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më të fortë”, ka shkruar më tej Kurti.

Homazhe ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se civilët ranë dhe u flijuan, por gjaku i tyre u bë liri dhe dritë për popullin e Kosovës.