Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti në takim me zyrtarët amerikanë: 2023-shi ishte sfidues në aspektin e sigurisë

Kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, dhe Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland, të premten.

Ata kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe ngjarjet e sivjetme, një prej të cilave përmendën çështjen e procesit të konvertimit të targave në RKS.

Kurti e ka cilësuar vitin 2023 si sfidues, posaçërisht për sigurinë.

“Vit ky që krahas zhvillimit dhe progresit ishte vit sfidues veçanërisht në aspektin e sigurisë për shkak të sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe strukturave kriminale të saj, që u përcoll me tensione, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, institucioneve vendore e të gazetarëve në katër komuna në veri, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë, dhe sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policor, tani Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Pas takimit me Hovenierin dhe Hyland, Kurti priti edhe Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Ata folën rreth nismave dhe bashkëpunimeve të mundshme në fushën e arsimit e teknologjisë së informacionit bazuar në përvojat e shtetit francez, si dhe për mundësitë që ofron Kosova dhe planet në zbatim të Qeverisë në sektorin e energjisë, përkatësisht në atë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Edhe Kurti në takim me drejtoreshën e NATO-s: Kosova e vendosur për integrim Arbëri Kurti në takim me drejtoreshën e NATO-s: Kosova e vendosur për integrim

Kryeministri po ashtu takoi Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, të cilit i tha se pas sulmit terrorist e paramilitar, të sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë. 

"Ndërkaq, për sa i takon dialogut, vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne", i tha Kurti Blankenborgut.