Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti në takim me Sir Peach rithekson synimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të Dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit thuhet se ndër temat e takimit ishin edhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, zbatimi i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale.

Bëhet e ditur se Sir Stuart Peach ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal.

Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kurti ka ritheksuar synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus. Kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.

Gjithashtu bëhet e ditur se u bisedua për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Po ashtu edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Western Balkans Summit 2022”, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, që do të mbahet të martën në Prishtinë.​