Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Maqedoni të Veriut të premten.
Në kuadër të Forumit të Prespës në Strugë, Kurti ka takuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vend, “pas agresionit serb ndaj Kosovës, me rastin e rrëmbimin të tre policëve kosovarë të mërkurën brenda territorit të Kosovës, ku kryeministri kërkoi dënimin e këtij akti të agresionit”.
Në takim u diskutua edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuptim të zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe të deeskalimit të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Ishte paralajmëruar që Kurti do të ishte pjesë e panelit të Forumit, megjithatë ai nuk ka qenë prezent në kohën kur ishte parashikuar të ishte. Kryeministri maqedon, Dimitar Kovaçevski, nuk sqaroi mungesën e Kurtit në panel, megjithatë në fjalën hyrëse të tij deklaroi duke qeshur: “Sot vendosëm që paneli të jetë më i shkurtër, për shkaqe sigurie”.
Qeveria arsyeton mosparaqitjen e Kurtit në panelin e Forumit të Prespës
Nga Qeveria e Kosovës kanë dhënë arsyetimin për mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në panelin që ishte paraparë në Forumin e Prespës.
Zëdhënësi Përparim Kryeziu ka thënë se arsye për këtë ka qenë interesimi i lartë i pjesëmarrësve dhe mundësimi që Kurti të dalë në një panel vetëm.
"Për shkak të interesimit të lartë të pjesëmarrësve dhe kohës së shkurtë të panelit ka pasur një ndryshim të formatit të panelit ku me propozim të organizatorëve është organizuar një panel ekskluzivisht me Kryeministrin Kurti", ka thënë Kryeziu.
Abazoviqi bisedon me Kurtin: Mali i Zi mund të jetë nikoqir i takimit Kosovë-Serbi
Kryeministri Kurti ka takuar kryeministrin malazias, Dritan Abazoviq, në kuadër të Forumit të Prespës në Strugë.
Abazoviq ka thënë se Mali i Zi si vend mik i Kosovës dhe Serbisë, dhe të gjithë rajonit, është i gatshëm të jetë nikoqir i raundit të radhës të dialogut Prishtinë-Beograd, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.
Abazoviq e ka konsideruar si “të rëndësishme” bisedën që ka zhvilluar me Kurtin, derisa nuk ka dhënë informacione të tjera.