Arbëri

Kurti në Kaçanik: Serbia gjenocidale nuk kursente asnjë shtresë të shoqërisë

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti i ka përkujtuar të vrarët në Kaçanik nga forcat serbe në luftë, duke vendosur lule në lapidarin e vendosur në Lagjen e Re dhe në Kompleksin Memorial Varrezat e Dëshmorëve.

Ai ka thënë se synimi gjenocidal i Serbisë nuk kursente asnjë shtresë të shoqërisë, duke theksuar se nuk ishte kursyer as 105-vjeçari Nebih Livoreka.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptarë këtu në Kaçanik dhe kudo që ranë në beteja anë e mbanë Kosovës, e në veçanti lavdi katër grave dëshmore këtu në Kaçanik të cilat ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me armikun duke e mbrojtur popullsinë civile. Është Mukadeze Lika Muhaxheri, janë Jehona dhe Lumnije Raka, dhe Emsale Frangu”, ka thënë Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas tij, Mukadeze Lika-Muhaxheri ishte pjesë e protestave kundër dhunës serbe, e një vit më vonë ra heroikisht si ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Mukadeze Lika Muhaxheri në maj të vitit 1998 ka qenë në ballë të protestave këtu në Kaçanik kundër dhunës së Serbisë dhe më pak se një vit më vonë ajo bie heroikisht në ballafaqim si ushtare e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, ka thënë Kurti.