Arbëri

Kurti në ditëlindjen e 90-të të Walkerit: Ishte dhe është zëri i së vërtetës për kombin e shtetin tonë

Albin Kurti dhe ambasadori William Walker

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në ditëlindjen e 90-të të ambasadorit William Walker, ka thënë se ai ishte zë i së vërtetës për Kosovën në çdo situatë, jo vetëm atëherë kur iu kundërvu propagandës së Serbisë duke treguar për krimet kundër njerëzimit në Reçak.

Në ngjarjen e organizuar me rastin e kremtimit të ditëlindjes së ambasadorit Walker, e cila u mbajt në Pejë, Kurti tha se do të mblidhen edhe për 100-vjetorin e tij. 

"Walker ishte dhe është zëri i së vërtetës për kombin tonë, për shtetin tonë, në çdo situatë e jo vetëm në atë ditë vendimtare të 15 janarit të vitit 1999; kur iu kundërvu fuqishëm propagandës së Serbisë, duke thënë që në Reçak ka ndodhur krime kundër njerëzimit dhe ai ishte momenti kur u ndërgjegjësua, e u vetëdijesua edhe diplomacia ndërkombëtare edhe opinioni publik botëror dhe vendimtar për atë që pasoi — ndërhyrja e NATO-s për ta ndaluar gjenocidin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës", ka thënë Kurti, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Ai tutje e ka falënderuar Walkerin për gjithçka që ka bërë për vendin dhe popullin.