Arbëri

Kurti me rastin e 8 Marsit: Synimi ynë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë

Kryeministri, Albin Kurti, në hapjen e konferencës së organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, ka thënë se synimi i tyre barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë.

Ai ka theksuar se bashkërisht çdo ditë do të vazhdojnë punën për pavarësi ekonomike të grave, siç ka thënë ai, si një shkallë e rëndësishme drejt lirisë individuale.

“Jemi bashkë në përpjekjet dhe luftën për barazi, integrimin e grave më ekonomi e kemi parasysh gjithmonë gjatë hartimit të politikave tona. Përmes projektit që kemi me MCC kemi paraparë komponentë të veçantë për punësimin e grave në sektorin e energjisë”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se mbështetja e punësimit të grave ka rezultuar me mbi 6 mijë gra të integruara në tregun e punës. “Nga platforma superpuna, ku kemi rreth 10 mijë përfitues, gjysma janë gra dhe vajza”, është shprehur Kurti.

Kreu i Qeverisë ka thënë se përveç skemave dhe masave mbështetëse, Qeveria po ndërton mekanizma të veçantë “në shërbim të rritjes së rolit vendimmarrës së gruas”, sepse sipas tij, barazia gjinore është në themel të barazisë shoqërore.