Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është vendi i dytë që ratifikon tre marrëveshjet nga Procesi i Berlinit, ndërsa me 2/3-tat e votave, sipas tij, bëhet shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikon ato në Kuvend.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka falënderuar deputetët të cilët kanë votuar për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.
“Kosova është vendi i dytë që ratifikon tre marrëveshjet nga Procesi i Berlinit, ndërkaq me 2/3 e votave bëhet shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që i ratifikon ato në Kuvend. Falënderues për mbështetjen e secilit deputet dhe secilës deputete. Bashkë, sot dëshmuam se Republika jonë është për bashkëpunim të mirë rajonal dhe për progres dhe ecje të shpejtë në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal”, ka shkruar ai.
Kurti më tej ka thënë se marrëveshjet e ratifikuara do të sjellin përfitime për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor së bashku përbëjnë një treg me rreth 18 milionë banorë. Marrëveshjet që ratifikuam sot për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit të lartë dhe njohjen e ndërsjellë të profesioneve të mjekut, stomatologut dhe arkitektit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të rrisin mobilitetin e studentëve, punëtorëve dhe bizneseve do të sjellin përfitime për të gjithë. Shpresojmë që edhe vendet tjera nënshkruese të ndjekin ritmin e njëjtë ashtu që të mirat për qytetarët tanë të fillojnë sa më parë”, ka thënë ai.