Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Kosova shënoi progres në qeverisje digjitale duke kaluar nga grupi C në B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të mërkurën se Kosova ka shënuar progres në qeverisje digjitale.

Kurti ka njoftuar se në indeksin e Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri (GTMI), Kosova është kategorizuar në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.

“Rezultatet që janë publikuar sot, tregojnë progresin që ka arritur Kosova në dy vitet e fundit në 48 indikatorët kyç të indeksit, të cilat mbulojnë fushat si sistemet qeveritare, shtytësit kryesorë të digjitalizimit në qeveri dhe ofrimi i shërbimeve publike”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, në matjen paraprake të indeksit GTMI për vitin 2020, Kosova ka qenë e kategorizuar në grupin C të vendeve me fokus të kufizuar në qeverisje digjitale.

“Përparimi në këtë fushë duhet të shërbejë si inkurajim shtesë për shumë punë që na presin në digjitalizimin e të gjithë sektorëve. Strategjia e re dhe plani i veprimit për qeverisje elektronike që janë duke u përgatitur, do të ofrojnë udhërrëfyesin për avancimin gjithëpërfshirës të digjitalizimit në qeveri”, ka thënë ai.