Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti kërkon transparencë nga vëzhguesit e ENEMO-s

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur të mërkurën në takim përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Rrjetit Evropian të Organizatave Monitorues të zgjedhjeve (ENEMO) në Kosovë, Pierre Peytier dhe Elene Nizharazde.

Kurti i njoftoi vëzhguesit me situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke theksuar përpjekjet për tejkalimin e vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19 dhe situatën e sigurisë pas bllokimit të rrugëve në Bërnjak dhe Jarinje.

Me theks të veçantë u diskutuan zhvillimet, ecuria e fushatës dhe pritjet për zhvillimet e mëtejme në lidhje me fushatën për zgjedhjet lokale më 17 tetor.

Kryeministri Kurti siguroi përfaqësuesit e këtij misioni për bashkëpunim të plotë të gjitha institucioneve shtetërore, duke kërkuar transparencë të plotë.

Vëzhguesit e njoftuan kryeministrin me misionin e tyre, përpjekjet për vëzhgimin sa më real dhe objektiv të fushatës, synimin për përcjelljen e mediave, sidomos atyre elektronike përmes analizave nga specialistët e marrëdhënieve midis mediave dhe zgjedhjeve.

Përveç paraqitjeve publike mediale menjëherë pas zgjedhjeve, ky mision do të përgatisë edhe një raport përfundimtar me rekomandime në muajin shkurt 2022, i cili do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve kompetente dhe do të bëhet publik.

Artikuj të ngjashëm