Arbëri

Kurti i quan joparimore koalicionet e PDK-së me tri parti në Prizren

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj të mërkurën ka siguruar mbështetjen nga degët e NISMA-s, AAK-së dhe AKR-së për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës. Një koalicion i tillë nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është cilësuar si joparimor.

Dega e PDK-së gjatë ditës ka njoftuar se janë nënshkruar marrëveshjet e koalicionit ndërmjet kandidatit Totaj, dhe kryetarit të degës së NISMA-s, Zafir Berisha, kryetarit të degës së AAK-së, Lulzim Kabashi si dhe atij të AKR-së, Afrim Tejeci për garën përballë Mytaher Haskukës së Vetëvendosjes.

Në njoftimin e PDK-së u shpreh bindja e Totajt se “opozita e sotshme do të qeverisë gjatë 4 viteve të ardhshme dhe se qytetarët me 14 nëntor do ta ndëshkojnë keqqeverisjen dhe abuzimin”.

Në rundin e parë të zgjedhjeve me 17 tetor, kandidatët për kryetar, Zafir Berisha, Lulzim Kabashi dhe Afrim Tejeci kanë marrë në total rreth 7 mijë e 500 vota.

Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti këto koalicione i ka quajtur joparimore, që sipas tij janë tregues i frikës së oponentëve politikë të LVV-së.

“Besoj që koalicionet joparimore që po ndodhin janë koalicione të frikës nga LVV-ja, nga kryetari Haskuka dhe kjo më së miri do të shihet me datën 14 nëntor. Ne po bëjmë gjithçka që balotazhi të shkojë në mënyrë të qetë, demokratike, të ndershme dhe të vazhdojmë me zgjedhje shembullore”, ka deklaruar Kurti në Prizren.

Ditë më parë, kryesia e degës së LDK-së në Prizren pati vendosur që të jetë neutrale në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Prizrenit. Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale thuhej se dega e kësaj partie nuk do t’i bashkohet as kandidatit të VV-së e as atij të PDK-së.

Javën e shkuar kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Vetëvendosjes-së, Mytaher Haskuka pati bërë të ditur se partia NDS nga radhët e komunitetit boshnjak do t’i ofrojë përkrahje për rundin e dytë të votimeve për të parin e komunës. Në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, kandidatura e Haskukës ishte përkrahur edhe nga disa parti tjera të komuniteteve jo-shumicë.

Haskuka në zgjedhjet e 17 tetorit doli i pari në Prizren me 40.41 për qind të votave. Në balotazh do të përballet me Shaqir Totajn e PDK-së që pati 31.36 për qind të votave. Në raundin e parë dallimi i votave ishte rreth 5500.