Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, se është i gatshëm për takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, nëse ka vullnet të njëjtë edhe nga pala serbe.
Siç ka njoftuar Qeveria e Kosovës për takimin e Kurtit me Borrellin të shtunën në Munih të Gjermanisë, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe angazhohet për marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.
“Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njejtë nga pala serbe. Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për takimin Kurti-Borrell.
Në fund të janarit, Borrelli pati kritikuar palët për mungesë gatishmërie për t’u ulur në tryezën e dialogut. Ai pati thënë se te Kosova sheh më shumë jogatishmëri.
Kurti e Vuçiqi s’janë takuar që nga vera e vitit të shkuar.
Edhe
Dialogu Kosovë-Serbi, Borrelli kontakton Kurtin e Vuçiqin
Kohëve të fundit është shtuar presioni ndërkombëtar për një takim të radhës, në prag të zgjedhjeve në Serbi. Kosovën e Serbinë ditë më parë i vizituan emisarët e posaçëm për dialog dhe rajon të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të martën, Kosova e Serbia do të kenë takim në Bruksel, në nivel kryenegociatorësh.