I gatshëm për takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është shprehur kryeministri Albin Kurti, ndonëse nuk ka datë se kur ai mund të mbahet. Nga BE-ja janë shprehur optimistë për mbajtjen dhe rezultatet e tij, derisa në Kosovë është vlerësuar se pas mesazheve të emisarëve amerikano-evropianë gjatë kësaj jave, nuk ka nevojë të zgjatet më tej me bllokadën vënë bisedimeve mes dy krerëve
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian e ka përgjegjësinë për caktimin e takimit të radhës të nivelit të lartë për dialogun Kosovë-Serbi.
Ndonëse nuk ka treguar nëse një i tillë do të ndodhë para zgjedhjeve të prillit në Serbi, kreu i ekzekutivit është shprehur i gatshëm për të, kurdo që të ftohet nga BE-ja.
“Ne jemi të përkushtuar për dialog të balancuar, parimor drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, e cila e ka në qendër njohjen reciproke dhe qasja jonë është përherë konstruktive. Varet nga lehtësuesi apo ndërmjetësuesi, Brukseli se kur do të jetë takimi i radhës. Por edhe gatishmëria jonë edhe interesimi ynë nuk do të mungojnë asnjëherë”, ka thënë ai.
Sipas Artan Muhaxhirit, vizitat e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe të atij të SHBA-së, Gabriel Escobar, krerët e dy shteteve do të duhej t’i shihnin si mesazh për angazhim të shtuar në bisedime.
“Unë mendoj që pas kësaj vizite të emisarëve nuk do të ketë kuptim që të vazhdohet me këtë bllokadë do të jetë një lloj, një qasje ofenduese edhe ndaj SHBA-së edhe ndaj BE-së nëse kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk takohen në një takim të nivelit të lartë në Bruksel për t’u dakorduar edhe për hapat e mëtutjeshëm”, është shprehur analisti Muhaxhiri.
Një ditë më parë emisari i BE-së ka deklaruar se është optimist rreth takimit të radhës dhe rezultatet e tij.
“Kur janë të ftuar, të dy janë të përkushtuar ndaj procesit, e kuptojnë se sa i rëndësishëm është dhe cilat janë pritshmëritë e qytetarëve. Mos harroni se pas dy takimeve vitin e kaluar, ne thamë se donim të tretin takim për të sjellë rezultate konkrete procesi dhe progresi”, qe shprehur Miroslav Lajçak.
Takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka pasur që nga korriku i vitit të kaluar.