Kryeministri Albin Kurti, në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkëorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe Fondacionit "Friedrich Ebert Stiftung", që po mbahet të dielën, ka thënë se Kosova është afër themelimit të Fondit Sovran, i cili do të krijojë profit për shtetin.
Ai ka thënë se themelimi i këtij fondi do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
“Jemi një hap afër miratimit të projektligjit dhe me këtë kurorëzimin e idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran, të udhëhequr nga Besnik Pula, vitin e kaluar. Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas këtij vizioni, duke besuar se nisma e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profiteve për shtetin përmes investimeve të mençura. Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”, është shprehur ai.
Kurti më tej ka përmendur disa nga ndryshimet në ndërmarrjet publike, duke thënë se janë kthyer nga ndërmarrje me humbje në ato me profit.
René Schlee, drejtor ekzekutiv i "Friedrich Ebert Stiftung" u shpreh se krijimi i Fondit Sovran do të jetë një hap domethënës për Kosovën.
"Ne gjithmonë besojmë shumë se ky do të jetë një hap domthënës për shtetin e Kosovës dhe të krijojë një lloj rrjeti ekonomik të zhvillimit të qëndrueshëm. Besojmë se do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e Kosovës dhe për një shoqëri të drejtë. Për këtë arsyeje jemi mbledhur dhe i kemi kushtuar vëmendje, kam kënaqësinë që themelimi i këtij fondi është bashkëpunim i frytshëm", ka thënë Schlee.