Arbëri

Ekspertë e diplomatë theksojnë rëndësinë e menaxhimit të mirë të ndërmarrjeve

Kryeministri Albin Kurti ka folur për rritje të performancës së ndërmarrjeve publike, në konferencën për fondin sovran, ku morën pjesë edhe përfaqësues të fondeve të ngjashme nga Evropa. Ekspertë, hulumtues e diplomatë të huaj thanë se përzgjedhja e njerëzve të duhur në udhëheqje është esenciale për të jetësuar suksesshëm premtimin e Qeverisë Kurti për Fondin Sovran

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është afër themelimit të Fondit Sovran, dhe ka shprehur besimin se ai do të krijojë profit për shtetin.

Në konferencën për Fondin Sovran të Kosovës, bashkorganizim i Zyrës së Kryeministrit dhe fondacionit “Friedrich Ebert Stiftung”, që është mbajtur të dielën në Prishtinë, ai ka thënë se themelimi i këtij fondi do të jetë bazë e qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

“Jemi një hap afër miratimit të projektligjit dhe me këtë kurorëzimin e idesë që ka nisur me koncept-dokumentin mbi Fondin Sovran”, ka thënë kryeministri Kurti. “Qeveria jonë qëndron fuqishëm pas këtij vizioni, duke besuar se nisma e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijim të profiteve për shtetin përmes investimeve të mençura. Ndërmarrjet publike do të bëhen pjesë integrale e Fondit Sovran”.

Sipas kryeministrit, është përmirësuar performanca e ndërmarrjeve publike dhe se ato janë bërë fitimprurëse.

“Këto ndërmarrje kanë siguruar profit prej 94 milionë eurosh gjatë këtij viti, në krahasim me 3 milionë humbje para mandatit tonë qeverisës. Telekomi ka siguruar profit e fitore në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur edhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët pas investimit të Qeverisë në këtë ndërmarrje, në vlerë prej 20 milionë eurosh kredi. ‘Trepça’ ka rritur të hyrat nga 15 milionë në 22 milionë euro dhe për herë të parë që nga paslufta ka shënuar profit”, ka thënë kryeministri Kurti. “Tani këto ndërmarrje do të bëhen pjesë funksionale e Fondit. Përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK-u gjatë këtij viti, pra 2022, ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6 për qind, duke prodhuar 5.680GË/h”.

KEK-u, Telekomi dhe “Trepça”, sipas tij, kanë rritur të hyrat e disa prej ndërmarrjeve publike, për herë të parë në qeverisjen Kurti 2 kanë shënuar profit dhe se ato do të bëhen pjesë funksionale e Fondit.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, tha se për të performuar mirë Fondi është me rëndësi të emërohen menaxherë të mirë.

“Një faktor kritik që të jetë e suksesshme kjo iniciativë janë ekspertizat dhe burimet njerëzore në udhëheqjen e Fondit. Fakti që një numër i vogël ndërmarrjesh publike gjatë viteve kanë operuar me fitime është indikacion në këtë drejtim. Krijimi i një fondi sovran sjell potencial të madh për ta përmirësuar kornizën ekonomike të brendshme, por vetëm nëse dizajnohet mençur e që siguron mundësi të qëndrueshme investimi”, tha Conrad.
Ndërsa Rene Schlee që udhëheq programin e FES-it në Kosovë, tha se ky shtet ka çfarë të mësojë nga përvojat e shteteve evropiane lidhur me menaxhimin e fondeve sovrane.
“Këta ekspertë e kanë ndarë dijeninë e tyre dhe përvojën në menaxhimin e fondeve sovrane, duke dhënë kontribut shumë të çmuar dhe udhëzime gjatë procesit. Jemi krenarë që i kemi lehtësuar këto kontakte, pasi e njohim faktin që mësimi prej praktikave më të mira të të tjerëve është kyç për ta bërë një fond të suksesshëm e të qëndrueshëm”, ka thënë ai.

E koordinatorja nacionale për Fondin Sovran, Rrezarta Pllana, tha se Fondi do ta mundësojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, rritjen e vlerës së ndërmarrjeve publike e edhe qasjen e këtyre ndërmarrjeve në tregje kapitale ndërkombëtare.

“Fondi Sovran do të jetë institucion zhvillimor e inventiv dhe qëllim kryesor ka që të menaxhojë pasuri të rëndësishme në përputhje me interesin publik, duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investime përmes mirëqeverisjes, planifikimit të duhur afatgjatë dhe mbikëqyrjes së efektshme të tyre.
Pastaj ndërtimin e mekanizmit efektivë për Republikën e Kosovës në ushtrimin e të drejtave të aksionarit dhe të përfaqësimit të interesit financiar në raport me ndërmarrjet dhe investimet sektoriale, zgjerimin e qasjes së ndërmarrjeve publike në burimet e kapitalit, përfshirë edhe ato të investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm dhe të tregjeve financiare ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Krijimi i Fondit, sipas ekspertëve pjesëmarrës në këtë tryezë, mundëson që Kosova të ketë investitorë seriozë për investime afatgjata. Qeveria i ka përfunduar konsultimet publike dhe e ka miratuar Projektligjin për Fondin në mars 2023.

Themelimi i Fondit Sovran është premtim zgjedhor i kryeministrit Kurti, i cili ka paraparë që në të t’i përfshijë ndërmarrjet kryesore publike dhe pasuritë thelbësore shoqërore, e njëkohësisht ta shuajë Agjencinë Kosovare të Privatizimit.