Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar deputetët të cilët e votuan të enjten në lexim të parë buxhetin 3.2 miliardësh për vitin 2023.
Kurti ka numëruar sektorët të cilat do të përfitojnë nga ky buxhet vitin e ardhshëm, duke e vendosur fushën e shëndetësisë në krye të listës.
“Më shumë për shëndetësinë me më shumë profesionistë shëndetësorë dhe më shumë buxhet për barna esenciale. Më shumë për bujqësinë. Më shumë për kulturën, rininë dhe sportin dhe më shumë për arsimin. Më shumë për zhvillimin e hershëm të fëmijëve përmes më shumë çerdheve dhe më shumë edukatorë e staf për çerdhe. Më shumë për fëmijët nëpërmjet shtesave për ta dhe më shumë asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Më shumë për mbrojtjen dhe sigurinë sepse më shumë për ushtrinë dhe policinë. Më shumë inspektorë. Më shumë rezerva shtetërore. Më shumë për ndërmarrjet publike. Më shumë terminale doganore shtetërore. Më shumë për komunat. Buxheti për vitin tjetër, do të jetë më shumë për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro, ka miratuar të enjten në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.