Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se nesër do ta kuptojnë se çfarë do të kërkojnë e çfarë do të ofrojnë përfaqësuesit evropianë e amerikanë, të cilët do të vizitojnë Kosovë.
“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë”, ka theksuar Kurti në një deklaratë pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të çerdhes në fshatin Godanc në Shtime.
Por sipas tij është jetike për Kosovën, demokracinë e rajonin, që ata të cilët nuk e kanë ditur se kush është Serbia, ta kuptojnë tani.
“Është jetike për Kosovën, për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksione”, është shprehur Kurti.
Ai ka folur edhe për procesin e dialogut.
“Sa i përket dialogut në Bruksel ne prej atje kemi marrëveshje por që sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Ne kemi qenë për herë konstruktiv të përkushtuar kreativ dhe kurrsesi nuk ka faja apo përgjegjësi në anën tonë pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen de-facto reciproke dhe sa më parë zbatohet ajo do të kemi jo vetë normalizmi demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tone e për rajoni”, ka theksuar Kurti
Ai ka folur edhe për veprimet e Serbisë për destabilizim të Kosovës. “Në dhjetorin e viti të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Me 29 maj të këtij viti patëm sulm mbi policinë, mbi ushtarët e KFORIT dhe mbi juve gazetarë më veri. Me 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq. Se fundi me 24 shtator patëm sulm terrorist nga i cili u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku”, është shprehur Kurti.